Edhe pse fitoi në zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Himarës, Fredi Beleri ndodhet në burg që prej datës 12 maj, pasi akuzohet se ishte duke blerë vota. Por mësohet se ai ndodhet me prej 2 ditësh në spitalin e burgut, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.
Ai vijon betejën për të fituar lirinë. Beleri është shpallur fitues nga KQZ-ja si kryebashkiak i Himarës, pasi u kandidua nga koalicioni Berisha-Meta, por fakti që ai ndodhet në burg dhe pamundësia për të bërë betimin mund të jetë një arsye që ai ta humbë përfundimisht mandatin.
Beleri ka angazhuar avokatët e tij mbrojtës që të bëjnë çdo përpjekje për të fituar lirinë. Pas ankimit që ai i bëri vendimit të Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, që e la në burg me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim, duke kërkuar pushimin e çështjes, me pretendimin se nuk ka asnjë provë që ta përfshijë në veprën penale për të cilën akuzohet, Fredi Beleri ka dërguar disa kërkesa të tjera për ndryshim mase sigurie.