Kyriakos Mitsotakis u betua këtë mesditë si kryeministër i ri Greqisë, pasi fitoi zgjedhjet e parakohshme të 7 korrikut. Në fjalimin e tij të parë pas fitores ai tha se do të jetë kryeministër i të gjithë Greqisë, por cilat kanë qenë qëndrimet e tij kur ishte në opozitë ndaj fqinjëve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut?
Teksa diskutohej për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Mitsotakis është shprehur në atë kohë se nëse do të ishte në krye të qeverisë do të kisht vendosur veton për mosintegrimin e këtyre vendeve.
Lexo edhe- Mitsotakis: Greqia t’i vërë veton Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për në BE
“Do ta shfrytëzoj të drejtën e vetos për çdo kapitull në lidhje me integrimin e Shkupit në Bashkimin Evropian. Që ky vend të anëtarësohet në BE, ekzistojnë 35 kapituj për të cilët duhet miratim në fillim që të hapen, por edhe që të mbyllen. Këta 35 kapituj patjetër se duhet të mbyllen që të arrihet integrimi evropian i Shkupit. Ata as nuk do t’i hapin, as nuk do t’i mbyllin, nëse paraprakisht nuk kënaqin pozicionet e palës greke”, është shprehur Mitsotakis në shkurt të këtij viti në një tubim partiak në Athinë.
“Nëse zoti Micotakis mbështet veton për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit, ai nuk po vë në pikëpyetje vetëm një qëndrim kombëtar të Greqisë, por edhe një qëndrim të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian”, ishte përgjigja e Tsipras ndaj tij.
Zgjedhja e Mitsotakis në krye të shtetit grek do të sjellë zhvillime të reja përsa i përket marrëdhënieve të Greqisë me fqinjët, ndërsa kujtojmë se kreu i Demokracisë së Re ishte kategorikisht kundër marrëveshjes për emrin e Maqedonisë.
