Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi pas daljes nga SPAK-u, tha se pret drejtësi nga ky institucion për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Kryemadhi tha se ka sjellë prova të reja.
“Sot isha në SPAK për inceneratorin e Tiranës, për të sjellë prova të reja por edhe për të ripërsëritur edhe një herë kallëzimin penal që kam dorëzuar më 4 mars 2021. Gjërat po zbardhen çdo ditë e më shumë. Gjëja e parë që duhet bërë edhe ndalja e pagesave që vazhdojnë bëhen për inceneratorin”, tha ajo.
Po ashtu ajo theksoi edhe se Landifilli i Sharrës duhet të ishte mbyllur brenda 22 muajve, ndërkohë që në nëntor është rihapur duke depozituar mbetjet. “Do të dorëzoj dokumente të tjera në lidhje me këtë. E di që është e vështirë, por kam besim të plotë se gjërat do të bëhen. Drejtësia të triumfojë për qytetarët shqiptarë që paguajnë një kompani ofshore, e cila grabit 29 euro për ton mbetje. Kjo është një kontratë që vazhdon për 30 vite, ndryshe nga Elbasani dhe Fieri. Pra ne vazhdojmë e paguajmë edhe pse nuk incenerohet, nuk diferencohen mbetjet. Ka dokumente të tjera, ka fakte të tjera”, tha Kryemadhi.
