Sociologia Entela Binjaku analizoi fenomenin e vetëvrasjes në Shqipëri, kjo duke u nisur nga rasti tronditës i së enjtes mbrëma ku nënë e bijë u gjetën të vetëflijuara në shtëpinë e tyre.
“Hera-herës shkaqet janë ekonomike, janë shkaqe që nuk pyesin as për shkallën e arsimimit, depresioni që krijohet prej shkaqeve ekonomike, por rasti i fundit na riktheu vetëflijimin për shkak të besimit, me këtë nuk dua të them se të gjithë besimtarët e një feje apo sekti të caktuar shkojnë detyrimisht drejt këtyre akteve për sa kohë predikohet ringjallja, por dua të them se i njëjti mesazh në mendje të ndryshme, kthehet në mënyra të ndryshme,” – tha sociologia duke ia faturuar indoktrinimin te niveli i kapacitetit intelektual, ekonomik por dhe shpirtëror të njerëzve.
E pyetur se si mund të kuptohet një person që po e mendon apo është pranë një akti vetëflijimi, Binjaku tha se sociologët i japin predispozicion më të lartë shkallës së integrimit të individëve në grupeve sociale që ata bëjnë pjesë.
“Sa më e ulët të jetë shkalla e integrimit, aq më e lartë është mundësia që ata të konsiderohen të mënjanuar, si pesha të lehta, ndihen të pakuptuar, humbasin kontaktet, komunikimin, shenja këto që flasin për depresion të brendshëm dhe që kur nuk merr-dhe-jep me të tjerë rrit dhe përshkallëzon vetminë,” – tha Binjaku duke këmbëngulur se komunikimi është ilaçi kryesor për zgjidhjen e këtyre rasteve.