Më 15 dhjetor 2010 hyri në fuqi liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën. Në atë kohë vendimi në vend u shoqërua me festime të mëdha, si një ndër arritjet e para të Shqipërisë në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian.
Ndërkohë që ende pritet çelja e negociatave me Bashkimin Europian herë pas herë Shqipëria është lakuar në vende të ndryshme të BE-së si një ndër shtetet kryesore nga vinin azilkërkuesit. Kjo shërbeu dhe si një nga argumentet e Francës që doli kundër çeljes së negociatave në tetor të këtij viti.
Raporterja e BE-së për liberalizimin e vizave në Shqipëri u prit si “heroinë” në Tiranë pas vendimit, sa për nder të saj një lokali në kryeqytet iu vendos emri Tanja Fajon.
Shqiptarët tashmë lëvizin të lirë në zonën Shengen, nëse respektojnë afatin 90 ditor të qëndrimit. Nëse udhëtojnë për punë apo studime sigurisht që duhet një vizë në ambasadë.
Në maj të këtij viti, Holanda kërkoi rikthimin e vizave për Shqipërinë. Argument i saj ishte rritja e krimit të organizuar nga shqiptarët në Holandë dhe numri i lartë i azilkërkuesve.
Në 3 korrik të këtij viti, KE nuk e miratoi këtë kërkesë të Holandës, e ndërkohë një sërë ndryshimesh janë bërë nga ajo kohë në mekanizmin e Shengenit.
