Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në takimin me banorë të degës 2 në Tiranë, foli për protestën dhe samitin që do të mbahen ditën e nesërme.
Ish-kryeministri u shpreh se Edi Rama e ka humbur toruan ndaj dhe flet vetëm për protestën për bllokimin e rrugëve, postblloqet apo sheshet që do të bllokohen.
Sa i përket organizimit të protestës, kryedemokrati tha se janë përgatitur banderola në anglisht, ndërsa ftoi të rinjtë të mbushin sheshin.
Berisha pohoi se mijëra demokratë kanë ardhur që sot në kryeqytet.
“Sot jemi mbledhur për protestën e nesërme në orën 12 për të cilën po bëhet një betejë e madhe mediatike saqë edhe ata që mik presin samitin, këtë ngjarje të rëndësishme për vendin kanë harruar samitin dhe merren me protestën tonë. Kjo është e vërteta. Ata e kanë frikë samitin se kanë frikë vlerat e Europës. Ata çdo lloj drite i tmerron, ndaj dhe po të keni vënë re ju ai që mund ta quaj me plot gojë kryeministri mafioz i shqiptarëve, që mund ta quaj ‘The Prime Thief of Albania’. Ai e ka humbur toruan dhe nuk bën gjë tjetër vetëm merret me postblloqe, këtë rrugë do e bllokojmë, etj, etj.”
“Të bëjmë ç’të mundemi. Janë përgatitur parulla e banderola në anglisht. Janë fantastike, paraqitet Rama ashtu siç është, në të gjitha format. Ka prej tyre që flasin sa një fjalim,. Të vijnë të rinjtë ti marrin me flamuj të mbushim bulevardin e të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet”, shtoi Berisha.
