Në përditësimin e të dhënave të saj Ministria e Shëndetësisë përsëriti apelin për respektimin e masave nga bizneset, por dhe vetë qytetarët në plazh.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithe pushuesve të zbatojnë protokollin e masave anti-Covid19 përgjatë gjithë sezonit.
Stafi i shërbimit, në kontaktet me pushuesit / vizitorët duhet të mbajë në mënyrë të domosdoshme maskat mbrojtëse. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 metër.
Të zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese.
Të tregohet kujdes në përdorimin e ashensorit në strukturat akomoduese që e disponojnë atë, duke respektuar masat e distancimit dhe të higjienës.
Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike. Të respektohet hapësira midis çadrave dhe ndenjëseve të pushuesve në distancë jo më pak se 3.5 m dhe të evitohen grumbullimet shoqërore”, tha znj. Tomini.
