U mbajt ditën e sotme konferenca për shtyp e trajnerit Edi Reja dhe kapitenit Elesid Hysaj. Tekniku italian foli në prag të sfidës ndaj Bjellorusisë e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Reja zbuloi se nuk do të ketë eksperimente në formacion dhe do t’i besojë lojtarëve që ka hedhur në fushë në ndeshjet e fundit. Për sa i përket kapitenit Hysaj, ai do të jetë i pozicionuar në fashën e djathtë të skemës 3-5-2. Italiani e përjashtoi mundësinë e rreshtimit të Hysajt në treshen e mbrojtes pas mungesës së Ismajlit.
Kush luan nesër? Nuk do të bëjmë eksperimente ndeshjen e nesërme. Do të luajnë lojtarët e zakonshëm që ju i njihni. Kemi humbur miqësoret që i kemi programuar në mars dhe qershor. Do të ketë kohë për lojtarët e rinj që t’i provojmë. Formacioni do të jetë ai që ka qenë në ndeshjet e fundit.
Shqetësimet- Më shqetëson gjendja fizike e lojtarëve. Jam i kënaqur për mënyrën si e kam gjetur grupin. Ka një armoni të mirë. Shqipëria ka punuar mirë. Kemi disa të rinj që kanë cilësi që mund të vlejnë për të ardhmen. Stërvitja është diçka tjetër, ndeshja është diçka tjetër. Ngelet për t’u parë si do të reagojë skuadra. Jam i kënaqur me atmosferën dhe përkushtimin në stërvitje.
Mungesa e Memushajt- Do të jetë e vështirë pa cilësitë e Memushajt. Mund të provojmë Laçin, por edhe ai ka pasur disa probleme fizike. Nëse nuk do të zgjedhim dot Laçin, do të zgjedhim Abrashin, i cili mund ta bëjë në atë rol.
Hysaj në treshen e mbrojtes? Nuk kam ndërmend ta vendos Hysaj në mbrojtje. Vrapon shumë është në formë të mirë, mund të bëjë fashën e djathtë shumë mirë. Te Napoli ka kaluar një fortë të mirë, shënoi gol dhe nuk kam ndërmend ta rreshtoj në treshen e mbrojtes.
Rikthimi i Sadikut- E kam marrë në konsideratë faktin që mund të luajë Sadiku me Cikalleshin. Sadiku lëviz shumë, ka njohje shumë të mirë me portën dhe është në formë të mirë. Kemi dhe Balajn që ka shfaqur një formë të mirë në stërvitje, shënoi 3 gola në miqësore. Nuk më shqetëson faza sulmuese, kam alternativa dhe lojtarë që gëzojnë formë të mirë.
Kundërshtari- Do ishte rezultat i mirë të merrnim 4 pikë në ndeshje. Luajmë kundër Bjellorusisë që ka nisur kampionatin dhe është në formë të mirë. Shpresoj që ta kompensojmë formën e mirë me dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin.
Biseda me Dukën- Me presidentin folëm për situatën e tanishme dhe të pazakontë nga COVID, druhem që mos ndodhë gjë gjatë 90 minuta. Kam marrë një hajmali. Kemi 3 zëvendësime që për mua janë pak. Do ishte më mirë të kishim 5 zëvendësimet si në kampionatet e tjera.