Policia e Dibrës bën të ditur se është vënë në pranga një 56-vjeçar për vjedhje me thyerje, po ndërkohë gjatë kontrollit në shtëpi policia gjeti armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, dylbi nate dhe një sasi lënde narkotike kanabis.
Autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim për ngjarjen, ndërkohë që u mësua se ishte në Tiranë. Pas bashkëpunimit me drejtoritë e policive Dibër dhe Tiranë, ai është arrrestuar në Bathore.
NJOFTIMI I PLOTE
Dibër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lura”.
Operacioni nga DVP Dibër, në bashkëpunim me DVP Tiranë.
Vodhi me thyerje në banesën e një shtetasi, identifikohet dhe kapet autori.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, në Lurë, Policia e Dibrës gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, dylbi nate dhe një sasi lënde narkotike kanabis.
Operacioni për kapjen e autorit u finalizua në Bathore, Kamzë, Tiranë, nga ana e Seksionit të Kërkimit pranë Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas informacioneve të dhëna nga DVP Dibër.
Shërbimet e Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Lurë e Vjetër, një shtetas kishte vjedhur me thyerje në banesën e shtetasit R. C., organizuan punën dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj vjedhjeje.
Në vijim të veprimeve, Policia e Dibrës ushtroi kontroll në banesën e autorit të dyshuar, shtetasit M. V., ku gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, një sasi municioni luftarak dhe rreth 300 gr. lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe disa sende të vjedhura në banesën e shtetasit R. C.
Gjatë kontrollit të zonës për lokalizmin dhe kapjen e autorit, Policia e Dibrës siguroi informacion mbi vendndodhjen e tij dhe falë shkëmbimit të informacionit me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi për llogari të DVP Dibër, e autorit të dyshuar, shtetasit M. V., 56 vjeç, banues në fshatin Lurë e Vjetër, Dibër.
Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
