Detaje të reja dalin nga tragjedia e një dite më parë në fshatin Ostren të Bulqizës ku humbi jetën nëna dhe dy fëmijët e saj.
Nëna Rajmonda Tola dhe dy fëmijët e saj, Rudina 18 vjec dhe Fatjoni 14 vjeç u gjetën të pajetë dhe vëllai i Rajmondës thotë se është i pari që i gjeti. Ndërkohë fatmirësisht fëmija më i vogël, Merita 8 -vjeçare ndodhet në spital në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.
Por ndryshe nga sa është thënë deri tani, daja i fëmijëve hedh poshtë aludimet se ata kanë gjetur vdekjen nga rrjedhja e gazit, duke treguar se e ka gjetur një bombol në oborr. Dyshimet janë edhe tek ushqimi që kanë konsumuar.
“Nuk ka qenë nga gazi, as mangalli dhe as nga ngrohja elektrike. Një bombol 5 litërshe ka qenë jashtë banese kur kemi shkuar. Nuk ka qenë rrjedhje gazi. Kanë ndërruar jetë rreth orës 22:00-23:00 të së enjtes dhe kemi gjetur supë në një pjatë dhe e kemi dërguar për t’i bërë analizat”, deklaroi ai për News 24.
Daja i fëmijëve tha se i ka dërguar trupat e tyre në spitalin e Dibrës për analizat dhe se pret hetimet e policisë. “Unë kam këmbëngulur si dajë, i kam dërguar nga spitali i Bulqizës në të Dibrës dhe kërkoj të bëhen analizat në mënyrë të hollësishme. Hedhim poshtë deklaratat e deritanishme për rrjedhje e gazi e çfarë ka dalë”, shprehet ai.
I pyetur a kanë pasur ndonjë konflikt me ndonjë, ai ka mohuar dhe ka thënë se pret nga policia të dalin përgjigjet e analizave.
Vajza e mitur e familjes ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Familja Tolaj jetonte në kushte jo të mira ekonomike, ndërsa në shtëpi rrinin vetëm nëna Rajmonda me tre fëmijët, Rudinën 18 vjeçe, Fatjonin 14 vjeç dhe Meritën 8 vjeçe, pasi burri ishte emigrant në Greqi.