“Një nga viktimat ishte i shtrirë në një shezlong, dy ishin në një stol dhe i katërti ishte buzë pishinës me këmbët brenda saj”, kështu e nisin shkrimin mediat ruse, të cilat kanë sjellë dëshminë e koleges së Sergey Burenkov, një prej katër viktimave në hotelin në Qerret.
Sipas Anastasias, është e vështirë të besohet se ishin mbytur apo helmuar kur askush prej tyre nuk kishte lëvizur, por kishte ndërruar jetë në pozicionin që ndodhej.
“Sergey ishte një njeri shumë i mirë, nuk i kishte bërë keq askujt. Punonim së bashku. Ajo që ndodhi është shokuese. Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën. Të gjithë ishin në vendet e tyre. Jam e sigurt që ata nuk mund të mbyteshin apo të helmoheshin njëkohësisht. Dikush do të lëvizte apo duhej të rrëzohej, por ata qëndronin ulur në vendet e tyre. Nuk ka asnjë gjurmë. Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do dalin kurrë në media. Ata nuk patën as kohë për të pirë apo ngrënë gjë. Dhe ata që shkruajnë gjëra pa kuptim, do të doja që të mos ndjenin dhimbjen që kemi ne”, është shprehur ajo.
