Reagimi i fortë qytetar në rrjetet sociale duke dënuar vendimin e dhënë nga gjykata për reduktimin e dënimit të përjetshëm të Dritan Dajtit, ka sjellë angazhimin e gjithë qeverisë.
Vetëm pak minuta pas daljes në një konferencë të posaçme të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dalë edhe ai i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ky i fundit ka lajmëruar se kanë nisur hetimet ndaj gjyqtarëve duke thënë se “Operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë”
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e cilësoi si kriminal vendimin e gjyqtarëve të cilët miratuan reduktimin e dënimin e përjetshëm të Dritan Dajtit. Lleshaj tha se forcat e policisë nuk do të gjejnë paqe deri sa të vendoset Drejtësia. “Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit.
Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të PSH të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.
Personat me profil të lartë kriminal, në shumicën e tyre, janë sot prapa hekurave, si rezultat i vullnetit të kësaj shumice qeverisëse për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe i një policie të reformuar dhe të motivuar për të imponuar fuqinë e ligjit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese”, tha Lleshaj.
