Dje u zhvillua një ceremoni përkujtimore, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Panajot Panos, pas vdekjes, i konsideruar mbreti i futbollit shqiptar. Klubi i Partizanit e ndërmori këtë nismë, ndërsa gjatë zhvillimit të ceremonisë përkatëse, ku ishin shumë figura të njohura, mes të cilëve edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, si dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, u bë një propozim, që përflitet prej kohësh.

Stadiumit të ri kombëtar, që po ngrihet e hedh shtat mbi “Qemal Stafën” e vjetër, t’i vendoset emri Panajot Pano. Ky propozim nuk mbeti në kuadrin e fjalëve, si herë të tjera, por u kalua në hapa konkretë, mbledhjen e firmave, që e mbështesin këtë ide. Po kështu, synohet që të paktën 1 milion vetë të firmosin online, në një peticion që do të hapet nga organizatorët, që “Arena Kombëtare” të marrë emrin e mbretit të futbollit shqiptar.

Propozimi në fjalë, bashkë me firmat, do t’i shkojë FSHF-së, si organi që mund ta bëjë realitet këtë ide. Qasja duket e ngjashme me atë që ndodhi në Kosovë, ku stadiumit të Prishtinës, ku luan përfaqësuesja e “Dardanëve”, iu vendos emri i Fadil Vokrrit, me rastin e ndarjes nga jeta të këtij të fundit.

Pak a shumë e njëjta gjë po synohet edhe me Panajot Panon, i konsideruar si më i madhi të të mëdhenjve në futbollin shqiptar. Natyrisht, pritet të ketë edhe kundërshtime, të llojeve të ndryshme, por pengesa më e madhe mund të jetë vetë FSHF. Kjo e fundit synon ta komercializojë emrin e stadiumit të ri kombëtar, duke i vendosur një emër, prej të cilit të përfitojë shumë para. /CNA.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here