Në Bashkinë e Matit ka nisur puna për ndërtimin dhe funksionimin e një qendre të formimit profesional që do të shërbejë edhe për bashkitë fqinje.
Sot në mjediset e Bashkisë Mat u prezantua projekti i financuar nga Bashkimi Europian dhe me parnerë Bashkia Mat dhe Vizion OJF.
Kryebashkiaku Agron Malaj dhe drejtoresha ekzekutive Suela Koçibelli u shprehën se ky është një investim mjaft i dobishëm për këtë trevë.
“Kjo është një shkollë profesionale që do t’i japë mundësi çdo të riu dhe të reja të kësaj zone mundësinë që të marrë një profesion, që t’i shërbejë vetes në radhë të parë , familjes dhe komunitetit. Dua të falenderoj Suela Koçibellin, administratoren e organizatës Vizion OJF që është partnere e Bashkisë Mat, ku kemi një sërë projektesh. Pas këtij projekti do të vazhdojmë dhe me një projekt të dytë”, tha kryebashkiaku Malaj.
Drejtoresha ekzekutive e Vizion OJF, Suela Koçibelli, tha se kjo shkollë profesionale është një mundësi reale për të rinjtë dhe të rejat e Burrelit për të gjetur veten në tregun e punës. “Kemi vite që jemi aktiv falë teje Kryetar sepse kur gjejmë dhe ne bashkëpunimin e institucionit pritës, është motiv për të vazhduar dhe për të dhënë kontribut. Ka ndryshime me atë ç’ka unë e kam gjetur më përpara dhe për 3 muaj besoj jemi gati për të bërë mobilimin. Është një mundësi reale për të rinjtë dhe të rejat për t’i dhënë shansin vetes për një profesion, si rrjedhojë për t’i dhënë shansin vetes për një punë, për t’u ritur dhe për të qenë më i zoti në tregun e punës”, deklaroi Suela Koçibelli.



