Muaji maj shënon dhe 100-vjetorin e themelimit të Bashkisë Mat.
Nën kujdesin e kryetarëve të bashkive Agron Malaj dhe Ilmi Hoxha është programuar të zhvillohen disa aktivitete artistike e historike.
Panaire, koncerte, festivale, sesion shkencor, vizitë në Muzeun Historik, etj, do të mbahen në datat 5, 6, 7 Maj 2022. Sipas drejtorit të Kulturës në Bashkinë Mat Sokol Meta, larmia e madhe e aktiviteteve do të lartësojë këtë event të rëndësishëm të historisë së Matit.
Pas një vizite në varrezat e Dëshmorëve në 5 maj dhe vizitave në familjet e dëshmorëve, programi parashikon takimin e valltarëve të vegjël midis shkollave 9-vjeçare të Bashkisë Mat.
Në mbrëmje, Bashkia ka menduar organizimin e një feste birre dhe të produkteve lokale nën tingujt live nga grupi i njohur “Kujtim Bojni Band” si dhe Dj. të ndryshëm që do të sjellin muzikën më të mirë të momentit.
Ndërkaq, në datë 6 maj, do të organizohet Festivali i Këngës Epike dhe Lirike edicioni i IV me pjesëmarrjen e grupeve Drenas, Tetovë, Mallakastër, Krujë, Laç , Gjilan dhe Dibër në sheshin Kastriotët.
Në mbrëmje është rezervuar sërish festa e birrës me muzikë live nga “Aranit Hoxha Band” në qendër të qytetit.
Më datë 7 maj, do të çelet edhe sezoni turistik, ndërkohë që do të zhvillohet edhe një panair Kulturoro-Historik.
Në orën 11:00 me mbështetjen e Akademisë së Shkencave do të organizohet një Konferencë Shkencore.
Festa do të kulmojë mbrëmjen e 7 majit me natën e tretë të Festës së Birrës me muzikë live dhe këngëtarë të ftuar nga trevat shqiptare si nga Tetova, Gjilani, si dhe grupi lengjendar “Fisnikët” që do të sjellin hitet e tyre më të mira ndër vite për artdashësit në Mat.
