Një ditë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Sali Berisha ka mbajtur një takim me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se PD do të bashkohet dhe po punohet intensivisht për këtë qëllim.
Ai ka komentuar edhe kushtin që i vuri grupi parlamentar i PD-së, ku iu kërkua dhe atij të bëjë një hap pas. Ish-kryeministri tha se ajo letër e kishte kthyer Bashën në “plaçkë tregu”.
“Siç e dini, zoti Basha është i shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe nga referendumi i datës 18 dhjetor. Kanë votuar për shkarkimin e tij 4446 delegatë dhe 44 mijë anëtarë të PD. Kjo është e vërteta. Duke theksuar këtë ne jemi të vendosur të punojmë për bashkimin e PD-së me të gjithë ata që besojnë se vota e lirë e anëtarëve e të saj duhet të bashkojë demokratët. Mund t’u them që ka një mirëkuptim të gjerë gjatë këtyre ditëve në këtë drejtim.
Ka vetëm një grup parlamentar të PD dhe jo dy. Çdo deputet i PD-së është i thirrur të ketë realitetin parasysh. Nuk ka dy grupe, por disa qëndrime absurde të Bashës krijuan anomali në grupin parlamentar. Gjëja më imediate e deputetëve të PD është të normalizojnë jetën e grupit parlamentar. Ka dijeni që po punohet me intensitet në këtë drejtim dhe kjo do realizohet. Sa i përket fletushkës që lexoi zoti Alibeaj, në atë fletushkë Bashën e shndërronte të plaçkë tregu”, tha Berisha.
Pyetjes nëse ka ardhur koha të kthehet në selinë blu, Berisha iu përgjigj se po shqyrtojnë të gjitha veprimet që do të merren në vijim: “Selia është e PD-së, s’ka asnjë mëdyshje. Jemi në proces e sipër të të gjitha vendimeve që do të merren. PD do të bashkohet, do të shndërrohet në një forcë politike që Shqipëria s’e ka pasur ndonjëherë”.
