Fituesi i Palmës së Artë në Cannes Film Festival 2019 Vasilis Kekatos, do të jetë sot në orën 20.30 në hapësirat e Vilës së ish diktatorit Enver Hoxha, në një bashkëbisedim për kinemanë me Cine Tarkovsky.
Një kinema nomade, Cine Tarkovsky, evidenton objekte të izoluara për publikun, pjesë të arkitekturave të sistemeve totalitare që kanë qeverisur shtetet e Ballkanit, për t’i kthyer ato në kinema me hyrje të lirë për publikun për një natë. Emërtuar sipas mjeshtrit të kinemasë Andrei Tarkovsky, si një dedikim ndaj kërkimit të tij të pashtershëm ndaj ëndërrimit, Cine Tarkovsky ofron për herë të parë në Shqipëri një takim me fituesin e Palme d’Or direkt pas fitores, në stacionin e vet të parë në Tiranë – brenda Vilës së Enverit.
E konservuar në kohë dhe hapësirë prej pothuaj tridhjetë vitesh, vila e ish-diktatorit qëndron e paprekur. Cine Tarkovsky kërkon të propozojë nga artistë të rinj për të rinj vendas, zhveshjen e këtij objekti prej ideologjisë së atij që e jetoi apo atij që e porositi, duke e transformuar atë mes artit.
Vasilis Kekatos xhiroi në 8 orë në një pikë karburanti filmin me metrazh të shkurtër “Distanca mes nesh dhe qiellit” dhe arriti të fitonte Palmën e Artë për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër. Në këtë punim të ndjeshëm realizuar me zero buxhet, mund të vërehet sesa krijues mund të jetë një artist i ri kur burimet e tij janë të limituara. Për herë të parë në Shqipëri, fituesi i sapozgjedhur i Palmës së Artë fton në një eksperiencë kinematografike dhe në një bashkëbisedim të hapur me këdo që do të jetë pjesëmarrës, mbi të krijuarit dhe fituarit përkundër çdo vështirësie.
Festivali i Filmit në Kanë, prej 1946, prej dekadash është Festivali më i rëndësishëm në botë i cili sjell emrat më të mëdhenj e inovatorë në industrinë e filmit. Prej vitit në vit, pritet me kuriozitet përzgjedhja e filmave të Kanës, prej natyrës së artit që sugjeron dhe prestigjit që ky aktivitet
mban. Prezantimi i parë i Shqipërisë në Kanë ishte në vitin 1953 me filmin “Luftëtari i Madh Skëndërbej” me regji të kineastit sovjetik Sergei Yutkevich. Pothuaj 50 vite më pas, Gjergj Xhuvani bëhet i pari shqiptar pjesë e kategorisë Director’s Fortnight me filmin “Parrullat”. Në 2019, Erenik Beqiri është i pari shqiptar në seleksionimin zyrtar, me filmin “The Van”.
Cine Tarkovsky nuk ështe vetëm një event, kinema pop up, por një punë kërkuese mbi peizazhin dhe arkitekturën. Grupi i saj, një kineast dhe një arkitekte krijuan këtë kinema nomade si pjesë e kërkimit të tyre mbi njerëzit, historitë, folklorin dhe gjithçka lidh bashkëjetesën mes popujve në Ballkan.
Krijuesit e Cine Tarkovsky
Neritan Zinxhiria
Një nga kineastët më aktivë të diasporës shqiptare, Neritan Zinxhiria ka përfaqësuar prej 2008 Greqinë, Italinë, Shqipërinë e Rumaninë me filma të shkurtër, të vlerësuar me çmime e me përmendje të veçanta nga rrjeti i kritikëve të filmave të Cineuropa , si punë impresionuese e artit bashkëkohor. Filmat e tij janë shfaqur në mbi 200 festivale filmash në botë dhe filmi i tij i fundit, “Një Vend Për Dy” u përzgjodh nga Neë Museum Neë York, një nga muzetë bashkëkohorë më të rëndësishëm në botë, për ekspozitën e tyre në Benaki Museum në Athinë. Mbajtës i “Çmimit të Ekselencës Artistike 2018” nga Stavros Niarchos Foundation, në 2019 ai bashkëthemeloi me Iphi Ghenie kinemanë pop up Tarkovsky si një formë transformimi të peizazheve të ngurta e hermetike brenda Ballkanit mes forcës së imazhit, filmit.
Iphi Ghenie
Iphi Ghenie është arkitekte, urbaniste, kërkuese shkencore dhe pedagoge e jashtme në Fakultetin e Arkitekturës në Tiranë. Prej 2016 ajo është një zë aktiv në tema me interes publik si bashkëthemeluese e blogut të parë të arkitekturës në vend, arkitektëza. Në Maj 2019 u përzgjodh të jetë pjesë e MAS Housing në ETH Zurich, program që eksploron strategjitë e ndërhyrjes në strukturat urbane të vendeve në zhvillim. Në 27 gusht është ftuar të prezantojë punimin e saj mbi strukturat periferike të qytetit të Tiranës në European Netëork of Housing./ Marrë nga Gazeta Shqip