Që tani, pangolini i vogël i Borneos do të mund të mbështetet në disa miliona dollarë. E njëjta gjë vlen edhe për iguanën me kreshtë të Fixhit ose hutian, një brejtës i vogël dhe i pambrojtur nga Bahamas.
Çfarë kanë të përbashkët këto dhe shumë specie të tjera? Të gjitha janë të rrezikuara nga zhdukja ose nga një pakësim i vazhdueshëm i popullatës, por tani falë një bashkëpunimi të pazakontë mes themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, dhe aktorit të Hollivudit, Leonardo DiCaprio, ato kanë edhe një mundësi të re për t’u shpëtuar. Këto ditë është prezantuar Phoenix Species Project, një fond i ri iniciativa më e madhe filantropike e krijuar ndonjëherë për ruajtjen e biodiversitetit që do të investojë 200 milionë dollarë për të mbrojtur 100 specie të botës shtazore dhe bimore.
Ky është një sinjal inkurajues, duke qenë se fondi është krijuar në Shtetet e Bashkuara, ku sot, si pasojë e politikave të administratës Trump, po çmontohen shumica e programeve të ruajtjes për mbrojtjen e specieve të rrezikuara nga zhdukja, si edhe atyre për luftën kundër krizës klimatike, e cila shpesh përshpejton rënien e biodiversitetit.
Projekti lindi nga bashkimi i dy botëve. Organizata Re:ëild, e bashkëthemeluar nga Leonardo DiCaprio, dhe Bezos Earth Fund, fondacioni privat i krijuar nga themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, së bashku me bashkëshorten e tij Lauren Sánchez Bezos, kanë njoftuar se do të bashkojnë forcat për të financuar mbrojtjen e 100 specieve të identifikuara si ndër më të rrezikuarat. Mes tyre është, për shembull, ‘vaquita’ e rrallë, e cila po zhduket, por edhe disa lloje bretkosash, shpendësh, gjitarësh të vegjël dhe kafshësh si salamandra e gjelbër e Hickory Nut Gorge në Karolinën e Veriut, e cila është bërë gjithnjë e më e rrallë pasi uragani Helene, në vitin 2024, shkatërroi habitatin e saj.
Ndërhyrje të drejtpërdrejta në 30 vende të ndryshme
Ndonjëherë kriza që prek speciet shkaktohet nga ndryshimet klimatike, në raste të tjera nga çekuilibra natyrorë, por sipas shumicës së vëzhgimeve të shkencëtarëve, njeriu mbetet pothuajse gjithmonë shkaktari kryesor i problemit.
100 speciet janë përzgjedhur sipas kritereve të tilla si rreziku i zhdukjes, prania e organizatave që tashmë punojnë për ruajtjen e tyre por kanë nevojë për fonde shtesë, vlera e tyre unike biologjike që duhet mbrojtur, ose për shkak të përshpejtimit të rënies së popullatave të tyre.
Për shembull, në Afrikën e Jugut, në zonën e shkretëtirës bregdetare, kanë mbetur më pak se 1.000 ekzemplarë të Conophytum concavum, një bimë e vogël sukulente që rritet vetëm në një zonë të caktuar. Kjo bimë, e vogël dhe shumë tërheqëse, u bë aq e pëlqyer sa njerëzit nisën ta mblidhnin për ta përdorur si dekor në shtëpi. Si pasojë, me kalimin e kohës, numri i saj ra vazhdimisht. Tani, ajo do të ketë një mundësi të re për t’u rikuperuar.
Qoftë për peshqit e rrallë “kitarë”, qoftë për orangutanët e mëdhenj në Indonezi, Phoenix Species Project i DiCaprios dhe Bezosit ka vendosur të mbështetet në një sërë treguesish shkencorë për të përcaktuar se cilat specie do të përfitojnë financim dhe mbështetje në 30 vende të ndryshme. Shuma prej 200 milionë dollarësh do të përdoret për ndërhyrje të drejtpërdrejta në terren.
Speciet e përfshira
Siç ka shkruar Leonardo DiCaprio në rrjetet e tij sociale, “speciet e përfshira përfshijnë gjitarë, amfibë, zvarranikë, shpendë, peshq, jovertebrorë dhe bimë. Mes tyre janë rinoceronti i Sumatrës në Indonezi, indri i Madagaskarit dhe papagalli më i rëndë në botë, kakapoja, nga Zelanda e Re. Më shumë se 100 partnerë lokalë dhe ndërkombëtarë në mbarë botën, përfshirë popullsitë indigjene, komunitetet lokale, ambientalistët dhe qeveritë, do të udhëheqin projektin, duke përshtatur ndërhyrjet për rimëkëmbjen e secilës specie dhe të çdo zone gjeografike. Nuk mund të isha më krenar që e shpall këtë nismë. Shpëtimi i këtyre specieve do të thotë të mbrojmë gjithçka që i rrethon: pyjet, lumenjtë dhe vetë klimën.”
Në mbështetje të kësaj nisme është angazhuar edhe IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), i cili kujton se “nga afro 176.000 specie të vlerësuara në Listën e Kuqe të Specieve të Kërcënuara të IUCN-së, më shumë se 31.000 klasifikohen si të rrezikuara, në rrezik kritik ose të zhdukura në natyrë”. Megjithatë, organizata thekson se “veprimet për ruajtjen e natyrës mund të ndalin dhe, në shumë raste, edhe ta përmbysin humbjen e biodiversitetit”.
Së fundi, risia e këtij fondi të ri të krijuar nga DiCaprio dhe Bezos nuk qëndron vetëm te madhësia e investimit, 200 milionë dollarë të dedikuar ekskluzivisht për mbrojtjen e natyrës, por edhe te angazhimi, shpesh i vështirë për t’u siguruar në iniciativa të këtij lloji, për të ofruar mbështetje afatgjatë për projekte dhe nisma të vogla të ruajtjes së biodiversitetit.
