Operacioni i kontrollit të banesave të tre gjyqtarëve që shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi i përjetshëm ende nuk ka bërë zyrtare rezultatet e para, teksa dje u bënë të njohur detaje nga kontrollet në shtëpitë e Skënder Daminit, njërit prej gjyqtarëve.
Gjyqtari Petrit Aliaj dyshohet se është larguar jashtë vendit, dhe kjo sipas dëshmive të familjarëve të tij, raporton gazeta “Panorama”. Ata kanë thënë se ai është nisur për në Greqi, por megjithatë policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij.
Forcat policore kanë kontrolluar dhe shtëpinë në Lezhë të gjyqtarit të Apelit të Shkodrës, Aleks Nikolli. Mësohet se oficerë të Policisë Gjyqësore dhe punonjës të Policisë kanë mbërritur në orët e para të ditës në banesën e Nikollit, ku për rreth 2 orë kryen kontrolle, ndërsa pas kësaj në mesditë ata janë rikthyer sërish.
Pse nuk u kontrolluan zyrat e gjyqtarëve?
Grupi operacional special, me urdhër të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila dy ditë më parë pranoi kërkesën e organit të akuzës, do të bënte kontrolle edhe në zyrat e gjyqtarëve, gjë që nuk u arrit të bëhej.
Së pari, sepse zyrat në ambientet e Gjykatës së Apelit kanë qenë të mbyllura dhe së dyti, siç e parashikon ligji, kontrollet duhet të ushtrohen në praninë e personit që është vënë nën hetim apo mbrojtësit të tij ligjor. Në këto kushte, në zyrat pranë Gjykatës së Apelit në Vlorë nuk është bërë i mundur kontrolli.
Zyrtarisht, Policia nuk bëri të ditur nëse janë gjetur materiale komprometuese për gjyqtarin, por burime thonë se nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme. Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve të nisura nga Krimet e Rënda për 3 gjyqtarët, të cilët dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.
