“Magdalena e penduar”, një pikturë nga Gian Giacomo Caprotti, i njohur si Salaì (1480-1524), bashkëpunëtori më i ngushtë i Leonardo Da Vinçit, u nxorr në ankand sot për një çmim prej 1,7 milionë eurosh, njoftoi shtëpia e ankandeve “Artcurial” në Paris.
Kjo pikturë me bojra vaji është një nga veprat e rralla, që njihet si e krijuar nga dora e këtij piktori mjaft i afërt me teknikën e Leonardos, veçanërisht në trajtimin e duarve dhe fytyrës.
“Kjo pikturë doli vërtet nga nata. Pronari i saj, i cili e bleu atë për një shumë modeste, na e besoi për shitje. Ajo arriti te ne pa atributim. Ishte ekspertja Cristina Geddo, nga Milano, e cila na zbuloi se ishte nga Salai”, tha kuratori Eric Turquin.
“Ne gjetëm gjurmë gishtërinjsh: piktori ka shtypur bojën e freskët me gishtin e madh, që është karakteristikë e teknikës së Leonardos dhe Salait”, shtoi eksperti.
Nga Salai dihen vetëm katër ose pesë piktura të vërtetuara.
Përveç pikturës “Krishti Shëlbyes”, i ruajtur në Milano, të tjerat janë në pronësi private.