Mati është një nga zonat e vendit e cila ka vuajtur gjithmonë mungesën e investimeve dhe shërbimeve ndaj qytetarëve nga ana e bashkisë, por prej një viti duket se gjithçka po vihet në vijë.
Përballimi i situatës së pandemisë dhe ndihma ndaj familjeve në nevojë janë tashmë prioritetet kryesore të bashkisë.
Duke nisur nga investimet në infrastrukturë e deri në art dhe kulturë, kryebashkiaku aktual Agron Malaj thotë përmes një postimi në rrjetet sociale se ka ende shumë punë për të bërë. Falë dëgjesave publike me qytetarët është bërë e mundur dhe evidentimi i problematikave të zonës dhe zgjidhja e tyre.
Qytetit i është rikthyer dhe jeta kulturore dhe shërbimet e duhura për banorët e saj.
POSTIMI I MALAJT
“1 vit në krye të punëve në Bashkinë Mat!
✅ Në një vit së bashku kemi bërë shumë punë dhe kemi ende dhe shumë të tjera për të bërë. Dëgjesat publike me qytetarët kanë qenë udhërrëfyesi për të vijuar me investimet në infrastrukturë, ndërtesa, ndihmë për familjet në nevojë etj.
Në një vit jemi sa më pranë qytetarëve. Siguruam kontenierë për familjet e mbetura pa strehë dhe mijëra pako ushqimore për familjet në nevojë. Grumbulluam ndihma për zonat e prekura nga tërmeti
Po përballojmë së bashku situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit përmes sensibilizimit të qytetarëve për t’u mbrojtur dhe dezinfektuam institucionet dhe mjediset publike për shkak të Covid 19 .
Investimet në infrastrukturë kanë qenë fokusi kryesor i bashkisë së Matit në këtë një vit duke u përpjekur të përmirësojmë rrugët, trotuaret, sheshet dhe urat e Matit dhe fshatrave dhe me një kujdes të veçantë pastrimit të mjedisit dhe rehabilitimit të pikës së grumbullimit të mbetjeve.
Do nisim investimin për ndërtimin e Ujësjellësit i cili i jep zgjidhje problematikës së ujit të pijshëm për 25000 banorë në total, pra 17 fshatra dhe qytetin e Burrelit.
Ndërhymë në rrugët rurale të fshatrave, duke zgjidhur konfliktet e mbartura dhe hapëm trashe te reja, mbollëm pemë dekoruese edhe në rrugët e fshatrave, urat e zonave rurale nuk rrezkojnë më jetën e banorëve, asfaltuam rrugët e dëmtuara në qytet dhe investuam në trotuare dhe mjediset publike. Shtuam ndriçimin në rrugët e Burrelit dhe sistemuam ujërat e zeza në periferi të qytetit. Montuam koshat e rinj në mjediset publike, shembëm kioskat pa leje, investuam në oborret e pallateve, ndërhymë në të gjitha kanalet ujitëse të bashkisë së Matit. Gjithashtu nisi rehabilitimi i sheshit “Ahmet Zogu” dhe Parkut “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë”. Vendosëm në funksion tregun e ri të fruta-perimeve si dhe nisi puna për kultivimin e rasatit të peshkut në Liqenin e Ulzës.
Stadiumi “Liri Ballabani” merr një tjetër pamje ndërkohë që fokus kryesor ka qenë dhe rehabilitimi i kopështeve dhe çerdheve, sigurimi i lëndës drusore për institucionit e arsimit parauniversitar.
Përmes ngritjes së një administrate profesionale kemi realizuar një sërë projektesh dhe ende të tjera na presin. Arti dhe kultura gjithashtu kanë qenë në fokus të bashkisë. Qendrës Kulturore të Fëmijëve i kthehet dinjiteti, investohet në bibliotekën e qytetit, planifikuam aktivitete të bukura për 75 vjetorin e Çlirimit. Së bashku festuam me koncertin e Koreve të shkollave të Matit, kllounët zbavisin fëmijët e qytetit, organizuam në Burrel Festivali i Këngës Epiko-Lirike, dekoruam figura të njohura të Matit.
Kemi bërë shumë punë në këtë 1 vit së bashku dhe ky është vetëm fillimi i asaj çka do të bëjmë për të zhvilluar dhe përmirësuar mjedisin dhe jetën e komunitetit tonë.
Gjatë këtij viti, mbështetja Juaj ka qenë e jashtëzakonshme duke na rritur përgjegjësinë dhe për këtë dua vetëm t’ju falenderoj nga zemra!”, shkruan Malaj.