Kolegët e kanë quajtur “Doktori i Teknikës”, dhe ka 32 vite eksperiencë në sektorin e transportit dhe mekanikës. Flasim për Përparim Kolasin, mjeshtrin me origjinë nga Erseka që gjithë dashurinë dhe pasionin që ka ia ka dedikuar mjeteve historike.
Duke folur për Retro.al, faqen më të re që shpërndan me të gjithë pasionin dhe dashurinë për mjetet historike, Përparimi thotë se dashuria për to ka lindur bashkë me të. “Në kohën e fëmijërisë shikoja mjetet e thosha si ikin këto, vrisja mendjen, pa pyetur njeri dhe nuk kisha kë të pyesja në fshat. Gradualisht, kur erdha në Tiranë pastaj shumë gjëra filluan të evoluonin tek unë dhe Tirana me mjetet e saj pati ndikimin tek unë që ta kem vërtetë dashuri dhe të rritem me atë dashuri dhe pasion për mjetet”, rrëfen Përparimi.
Përparimi tashmë është në pension por i kushton çdo ditë mjeteve të tij dhe studentëve të rinj. AI rrëfen se ka ushqyer me këtë pasion dhe djalin e tij të vogël, teksa dëshira e tij është që mjetet të identifikohen me mbiemrin e tij. “Dua që mjetet që ngre ti identifikoj me mbiemrin tim. Kam vite që merrem me këtë punë, afërsisht 30 vjet dhe kam futur në këtë linjë dhe djalin e vogël që është inxhinier mekatronik dhe aktualisht ka një vit e gjysmë që punon në Norvegji, po kemi punuar shumë vite bashkë”, rrëfen mjeshtri.
Ai ka dhe një ëndërr, një Gaz M21, që për të është makinë super. Megjithatë Doktori i Teknikës rrëfen se është i pasionuar dhe me mjetin që ka Gaz-69. “Unë e kam të fiksuar të gjitha numrat e kuzhinetave dhe permistopave dhe të gjitha tolerancat që ka ai mjet në motor, në diferencial, në kamio, në freksion në të gjitha drejtimet. Të gjitha të dhënat teknike të këtij mjeti unë i kam në memorie”, thotë ai.
Përparimi është restaurator i shumë mjeteve si: GAZ-69 (prodhim i vitit 1954 ); BJ 212 (prodhim i vitit 1968); M72 (Prodhim i vitit 1970); Jaëa 250/350 (prodhim i viteve 1970); GAZ M-20/Popieda (prodhim i vitit 1848); Motorçikletë MZ 250 (prodhim i vitit 1970-1980), sot secila prej tyre në gjendje pune.
