Prokuroria i ka dërguar një shkresë Dhomës së Noterëve e cila ua ka shpërndarë të gjithë noterëve në vend të njoftojnë nëse pranë tyre paraqitet Agim Kajmaku, ish kryebashkiaku i Vorës i shpallur tashmë në kërkim.
“Noterët të njoftojnë policinë, nëse para tyre paraqitet Agim Kajmaku. Nëse nuk njoftojnë, noteri do të mbajë përgjegjësi ligjore”, thuhet në shkresën e Prokurorisë të publikuar nga News 24.
Kajmaku është shpallur në kërkim, pas shkarkimit si kryebashkiak i Vorës nga KQZ, pasi u vërtetuan akuzat e opozitës se ka qenë i dënuar në Greqi për falsifikim parash, dhe këtë gjë nuk e kishte deklaruar në formularin e Dekriminalizimit.
Për këtë arsye, ai mund të paraqitet te noteri për t’i dhënë prokurë avokatit për ta përfaqësuar. Kajmaku akuzohet për shpërdorim detyre, falsifikim formularësh dhe kryerje të funksionit pas shkarkimit nga detyra. Kujtojmë që pas shkarkimit si kryebashkiak, Agim Kajmaku kishte firmosur largimin nga detyra të dy nënkryetarëve të bashkisë.