Ndalimi për të dalë jashtë shtetit për ata që kryejnë krime zgjedhore, bashkë me dënimin me burg kanë qenë refren i fushatës së Ramës për zgjedhjet e 30 qershorit. Por mesa duket maxhoranca është tërhequr në moment të fundit, teksa propozimet për ndryshim të kodit penal kanë mbërritur para forcës së kartonëve në seancën plenare.
Ka qenë vetë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ai që tha se amendamenti në Kodin Penal që ndalonte daljen jashtë vendit për ata që prekin zgjedhjet, do të tërhiqet për ta konsultuar edhe më gjerësisht me opozitën parlamentare.
“Amendamenti i propozuar nga zoti Bushati lidhur me penalizimin e përkohshëm deri në 10 vite, me ndalimin e udhëtimit jashtë vendit, kemi menduar që amendamenti mos të votohet sot edhe me mendimin e opozitës, dhe të jetë pjese i një diskutimi më të gjerë me ndëshkime alternative”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Deputeti i opozitës Myslim Murrizi, ironizoi në foltoren e Kuvendit duke thënë: “U gëzova që e paskeni heq rrethimin me gjemba të Shqipërisë, siç e kemi patur nga 1945 deri në 1990. Kemi 9 vjet që jemi çliruar nga ky burg, me heqjen e vizave, dhe ju donit që kush t’i prishte qetësinë partisë të rrinte 10 vjet në një burg 28 mijë kilometra katrorë”.
