Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk do të jetë pjesë e Kuvendit në mandatin e ri qeverisës. Pas kontradiktave që pati me kryeministrin Rama, Bushati u la jashtë listave të zgjedhjeve të 25 prillit.
Në një intervistë dhënë për IBNA, Bushati ka folur për herë të parë për këtë çështje, duke treguar se do të jetë aktiv në politikë edhe në të ardhmen, pavarësisht se jashtë parlamentit.
“Është e vërtetë se nuk do të jem pjesë e parlamentit të ardhshëm dhe ju e dini që parlamenti është vendi më i rëndësishëm ku luhet politika. Sidoqoftë, synoj të vazhdoj me angazhimin tim politik e qytetar në jetën publike duke shpresuar se kontributi im vlen”, tha Bushati.
I pyetur për një ndër çështjet më sensitive në politikën e jashtme, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë që filluan të intesifikoheshin mes tij dhe ish-ministrit të jashtëm grek Kotzias, dhe pse ka mbetur pezull ky proces, Bushati ka një tjetër mendim.
“Nuk është e drejtë të thuhet se gjithë procesi që kemi kryer bashkë me Nikos Kotzias nën mbikëqyrjen e dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Greqisë, si një proces që nuk ka dhënë rezultate. Ne kemi punuar shumë në rivendosjen e besimit mes ekipeve përkatëse dhe mes dy vendeve. Besimi është një element i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, si në jetën e përditshme. Sigurisht ka ende çështje që duhet të adresohen. Është koha për të lëvizur me guxim dhe vendosmëri. Nevojitet një vizion i ri për të çliruar energji të reja në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, tha Bushati sa i përket kësaj çështjeje.
