Deputeti i PD, Agron Shehaj ka kërkuar që SPAK të nisë hetimet për dhënien e statusit të “investitorit strategjik” ndaj “Manastir Resort” 50% e së cilës, sipas Shehajt zotërohet nga djali i xhaxhait të ish ministrit Damian Gjiknuri i cili aktualisht është numri 2 i PS.
Shehaj shkruan në rrjetin e tij social, se afera korruptive thellohej edhe më shumë për faktin se “Manastir Resort” do të ndërtohej pranë parkut Kombëtar të Butrintit.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, i cilëson shpifje akuzat e deputetit të PD Agron Shehaj se familjarë të tij janë shpallur investitorë strategjik në parkun e Butrintit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gjiknuri siguron se asnjë familjar i tij nuk ka përfituar nga kjo pronë dhe se personin që deputeti Shehaj përmend, nuk e ka djalë xhaxhai.
Gjiknuri shprehet se do ta padisë deputetin demokrat për shpifje dhe do të kërkojë dëmshpërblim prej tij.
“E siguroj deputetin Agron Shehaj se unë nuk jam si ata të partisë së tij që mohuan baxhanakun e ndjerë në Gërdec. Nuk kam ama se si të pranoj që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait tim. Çdokush mban përgjegjësi e përgjigjet për ato që bën. Le ta provojë gjykata e do ta mbaj unë përgjegjësinë, por nëse unë nuk e kam djalë xhaxhai personin e përgojuar nga Agron Shehaj, atëherë Agroni duhet të më dëmshpërblejë për cenim të qëllimshëm të imazhit”, shkruan Gjiknuri!
