Një 42-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Shkodrës për herë të tretë për vjedhje. Ai ishte autor i një sërë vjedhjesh automjetesh, biçikletash e banesash.
Operacioni i policisë për kapjen e tij ka marrë emrin “the third time”, hera e tretë, pasi A. Rr., ka qenë i dënuar dhe dy herë të tjera për të njëjtën vepër penale.
“Ky shtetas ushtronte veprimtarinë kriminale në mënyrë të përsëritur në fushën e vjedhjes së pronës, kryesisht të automjeteve duke thyer xhamin e pasëm trekëndësh të mjetit, vidhte biçikleta, banesa dhe zyra të firmave të ndryshme, duke marrë sende me vlerë dhe pajisje kompjuterike. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi, policia gjeti dhe sekuestroi disa biçikleta, sende të tjera që dyshohet se ky shtetas i ka vjedhur në automjete, banesa apo zyra firmash private, si dhe mjetet që përdorte për të kryer vjedhjet”, thotë policia e Shkodrës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.
