Një shtetas amerikan është gjetur i pajetë ditën e sotme në apartamentin që kishte marrë me qira në Sarandë. Bëhet fjalë për 70-vjeçarin Robert Hood, nga Alaska. Lajmi është bërë me dije nga gazetarja e Sarandës, Shpresa Dine.
Mësohet se i moshuari jetonte prej tri vitesh i vetëm në një apartament me qira, në Lagjen nr.1 në Sarandë. Prej tri ditësh, 70-vjeçari nuk po u përgjigjej telefonatave të njërit prej miqve të tij.
Ai është shqetësuar dhe ka njoftuar Policinë, që së bashku me zjarrfikësit hynë në apartament, dhe e kanë gjetur të pajetë në shtratin e tij 70-vjeçarin amerikan.
Trupi i tij është nisur drejt Tiranës për ekspertizë mjeko–ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Raportohet se në trupin e viktimës nuk janë vënë re shenja dhune.
