Zëvendës Ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini ka bërë të qartë se nuk do të ketë lirim masash. E ftuar në “Radar”, Tomini tha se për dy ditë, Komiteti Teknik do dalë për të rekomanduar një shtrëngim apo stacionim të masave që janë aktualisht aktive.
“Tani kemi një zbritje të fashës së moshës që kërkon trajtim klinik. Deri në këto momente jemi stacionar në masat që jemi. Por incidenca është e qëndrueshme. Për dy ditë Komiteti Teknik do dalë për rekomandim për shtrëngim apo stacionim të masave. Komiteti i Ekspertëve ka fuqinë të kërkojë një masë të tillë”,- tha Tomini.
Tomini foli edhe për procesin e vaksinimit dhe u shpreh se këtë javë në Shqipëri do të nisë vaksinimi i të moshuarve mbi 90 vjeç. Tomini tha se të gjithë mjekët e familjes kanë publikuar emrat e të moshuarve dhe se do të vijohet sipas një udhëzimi të dhënë prej tyre. Ajo shtoi gjithashtu se të moshuarit mbi 90 vjeç që nuk munden dot të dalin nga shtëpia, do të vaksinohen në banesë.
“Këtë javë do të fillohet me moshën mbi 90 vjeç, pra 90+ më pas në rend zbritës 90-84 dhe 84-80 vjeç. Të moshuar mbi 90 vjeç janë 5600 individë. Do të vijohet sërish sipas një udhëzimi të mjekut të familjes. Çdo qendër shëndetësore ka përcaktuar individët, janë të gjitha listat gati përkundrejt çdo qendre për individët për 90+ duke zbritur fashë pas fashe. Ne parashikojmë që kësaj jave përveç mjekëve do të vijohet me fashën 90+. Kemi menduar edhe për pjesën që janë invalidë, do të krijohet një grup dhe në një ditë të caktuar do të vaksinohen pranë ambientit. Asnjë nuk do të penalizohet. Nëse ndonjë refuzon, duhet të firmosë formularin,”- tha Tomini.