Një dikaster apo një sektor i ri pranë ministrive shqiptare që ka në fokus inovacionin. Është ky vendimi që u bë publik pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, ku është vendosur krijimi i nuklave të inovacionit. Sipas zv.kryeministres Belinda Balluku ka qenë një kërkesë e kryeministrit Edi Rama.
“Duke pasur këto zhvillime teknologjike, ne na ka lindur nevoja që brenda ministrive tona të kemi nukla inovacioni, do propozojnë projekte të reja. Do na duhet që të dalim në tregun shqiptar për të përthithur sa më shumë njerëz të dhënë ndaj inovacionit. Për të qenë sa më konkurrues, duke ditur pagat për këtë sektor, ne sigurisht kemi vendosur që ta aplikojmë siç kemi bërë me disa kategori të administratës të paguhen me paga më të larta se sa sektorët e tjerë.
Në ditët në vijim ne do të kemi mundësi që brenda vjeshtës t’i kemi të disponueshme brenda secilës ministri. Sot kemi diskutuar gjithashtu për një vendqëndrim të përbashkët të secilës prej këtyre nuklave. Praktika të mira ndërkombëtare. Në vazhdim do të informojmë publikun për këtë vendimmarrje te qeverisë shqiptare për t’i dhënë inovacionit një frymëmarrje sa më të madhe”, deklaroi Balluku.
