Komisioni i ngritur më 11 dhjetor në Kuvendin e mbajtur në “Air Albania” depozitoi dje në gjykatë ndryshimet statutore të miratuara nga delegatët e PD-së.
Ndërkohë, Oerd Bylykbashi në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, u shpreh se nëse do të jetë e nevojshme, në gjykatë do të depozitohen edhe prova të tjera të nevojshme që vërtetojnë se ata që votuan shkarkimin e Bashës dhe ndryshimet statutore kanë qenë delegatë të PD-së. Më tej, deputeti i PD-së, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, tha se delegatët që kanë votuar më 11 dhjetor kanë vendosur numrin e identifikimit dhe firmën, që faktojnë se kanë qenë ata të cilët kanë marrë pjesë në Kuvend.
“Të mos ecim me opsione teorike. Kuvendi ka marrë vendimet dhe gjykata ka për detyrë që të regjistrojë aktet dhe të respektojë demokracinë pa ndërhyrë në demokracinë partiake, që është shumë e rrezikshme. Jo më kot ligji për partitë s’i ka dhënë kompetenca shtetit dhe gjykatës më shumë sesa regjistrimi dhe sigurisht që jemi të gatshëm që të marrim të gjitha hapat e nevojshëm për të vendosur në vend elementin thelbësor; në demokraci vendosin anëtarët e partisë, vendos shumica, çdo gjë tjetër është koncept oligarkik. Ne, siç po luftojmë kundër Edi Ramës, do të luftojmë ndaj kujtdo individi që mendon që partinë e ka në shërbim të tij për të qëndruar ai edhe 10 vite të tjera si kryetar partie”, tha Bylykbashi.
Ndërkaq, ai e quan jolegjitim Kuvendin e thirrur nga Kryesia e PD-së me propozim të z. Basha. I pyetur nëse do të ketë dy PD nëse gjykata nuk do të regjistrojë Statutin e 11 dhjetorit, Bylykbashi u shpreh pa dhënë detaje se janë të gatshëm të marrin çdo hap të nevojshëm.
“Çdo gjë sipas radhës, por për momentin ne presim që gjykata të bëjë atë që ka bërë gjithmonë. Të regjistrojë edhe Statutin e korrikut, edhe këtë që shfuqizon atë të korrikut dhe më pas vazhdon jeta politike e PD-së. Objektivi ynë nuk është të merremi me një individ deputet. Ne do të bëhemi gati për përballjet e mëdha me Edi Ramën”, deklaroi ai.
