Operacion anti-drogë në veriun e vendit. Nga kontrollet e kryera gjatë 72 orëve të fundit, dronët kanë zbuluar mbi 20 mijë bimë kanabisi, të kultivuara në zona të thella malore në Malësinë e Shkodrës, në Lezhë, Krujë dhe Tropojë. Vetëm njëri nga kultivuesit u arrestua në flagrancë, ndërsa 10 të tjerë janë shpallur në kërkim. Në kuadër të operacionit policor antikanabis të koduar “FOKUSI”, u asgjësuan në total 20 897 bimë kanabisi.
Konkretisht në Malësinë e Shkodrës, si rezultat i fazës së 12-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, u asgjësuan 15 744 bimë kanabisi. Si autorë të dyshuar për rastet e kultivimit, u vu në pranga shtetasi Rr. Q. dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë.
Në zona malore të rrethit të Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 1909 rrënjë kanabisi. Si autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas. Ndërsa në zonat malore të qarkut të Lezhës, si rezultat i fazës së 32-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan 1854 bimë kanabisi. Si autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas.
Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 6-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 1390 rrënjë kanabisi. Si autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 4 shtetas.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” vijon. Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, pasi vetëm bashkërisht mund të ndërtojmë një ambient të sigurtë.
