Nga Mero Baze
Edi Rama ka ngatërruar edhe një herë letrat në tavolinën e lojës. Kur të gjithë prisnin që senatorët socialistë të shndrinin në krye të listave të mbyllura nëpër qarqe, ai ka vendosur që t’jua bëjë atyre të vështirë mandatin në një fushatë elektorale që në vetvete konsiderohet e lehtë për qeverinë vitin e ardhshëm. Vendimi i kryeministrit për të ngritur në listat e sigurta prurjet e reja të deputetëve, kryesisht nga procesi “deputeti që duam” apo të tjera figura të reja për publikun, shënon një lëvizje të fortë që do të influencojë drejtpërdrejt në fushatën e ardhshme zgjedhore.
Disa dhjetra deputetë me më shumë se një mandat do të duhet të zbresin në terren për ta fituar mandatin e ardhshëm, e jo për ta marrë atë në letër. Kjo logjikë ku më të njohurit, ata më me eksperiencë, njohje publike dhe rrjet të ngritur përkrahësish, duhet të dalin e t’i japin një shtytje nga poshtë listës së kandidaturave, është një mënyrë që synon të largojë parazitizmin elektoral të një pjese të elitës partiake në PS.
Në kundërshtim nga Partia Demokratike, ku Berisha u detyrua të bëjë një kompromis me zonën e sigurt të listës së kandidatëve, duke futur aty edhe atë që dikur e mallkonin, Partia Socialiste ka pranuar të sfidojë veten dhe kundërshtarin duke lënë në garë emrat e saj më të njohur. Çka do të thotë që ka pranuar edhe riskun që ndonjëri prej deputetëve të vjetër të riskojë të mbetet jashtë parlamentit vitin e ardhshëm.
Përtej rrëzimeve të mundshme, kjo mënyrë organizimi e listës, e fut dukshëm më shumë në punë partinë gjatë fushatës, sesa ajo e llastimit të krerëve të partisë nëpër lista të sigurta. Dhe ky shënon një avantazh që Edi Rama po kërkon t’i krijojë partisë së tij shumë muaj para se të bjerë gongu i fushatës.
Por si çdo nisëm e Edi Ramës, edhe kjo e “PS së vitit 2030” ka një anë tjetër të medaljes. Fjala është për procesin e rinovimit që ai ka nisur të kryejë qëkurse partia socialiste u njehësua pikë për pikë me identikitin e tij politik. Prej vitesh në PS preferohet rekrutimi e kooptimi i drejtpërdrejtë, e jo përzgjedhja, diskutimi e selektimi i emrave nëpër forume. Kjo duket se po ndodh edhe së fundi me hapjen e rrugës të rinjve në listat e deputetëve.
Me këtë akt Edi Rama hapi mundësinë që në ato lista, bashkë me fytyrat e reja të filtrojnë persona të rastësishëm të cilët mund të kenë diploma të mira, të flasin mirë për PS e qeverinë e saj, të kenë edhe shkollim korrekt, por që jo domosdoshmërisht do të jenë edhe deputetë e ministra të mirë në të ardhmen.
Të qënit deputet nuk është nuk mund të jetë fillimi i rrugës për një përfaqësues politik. Hap një faqe, bëj ca aplikime, thuaj disa fraza që duken sikur janë krijuar me anë të inteligjencës artificiale dhe ja ku e prodhuam një politikan. Parlamenti është destinacion fundor, jo stacion nisjeje. Në këtë mënyrë arrin t’i shkartisësh letrat brenda partisë, por nuk është e thënë se ke prodhuar standart.
Në epokën e krizës së ideologjive po ndodh që një konservator i “urryer” si ish zv.presidenti amerikan Dick Cheney të votojë kundër partisë së tij republikane. Fenomeni Trump ka shkaktuar një shkundje sizmike në të gjithë botën, duke nxjerrë në sipërfaqe antipolitiken, jokorrekten, jo të zakonshmen. Karrierat, forumet që i prodhojnë ato dhe gjithçka lidhet me procedurën dhe respektimin e një kuadri rregullash, konsiderohet tashmë një manual i tepërt e burokratik. Improvizimi dhe sipërfaqësorja po spostojnë traditën, duke e zëvendësuar ekspertizën dhe eksperiencën, me njohuritë e marra nga një kërkim në internet duke pritur autobusin. Kjo lloj antikulture ka prodhuar përfaqësues politikanë të rastësishëm e liderë pa bindje, por vetëm me interesa.
Në Shqipëri ky fenomen ka vite që gjallon i padeklaruar, mjafton t’i hedhësh një sy “merkatos” së deputetëve e politikanëve të tjerë, të cilët kanë kaluar nga një llogore partiake në tjetrën sa herë i është dashur. Janë dhjetra raste ku ata që shaheshin mes tyre, sot janë aleatë për kokë, e kjo nuk përbën vetëm një defekt të nivelit personal, por është edhe dëshmi se këta përfaqësues politikë ndahen ose bashkohen tek interesat e jo tek idetë e qëndrimet.
Kriza e ideologjive bashkë me bllokimin që ka shkaktuar rotacioni i munguar e elitës politike, ka prodhuar në Shqipëri një amulli emrash, ku gjithkush mund të ulet gjithkund, në çdo karrige që i bie rruga, mjafton të bëjë një pakt me shefin e kuadratit të karrigeve. Kanë humbur konturet e partive sepse janë përzier interesat që ato ndajnë mes tyre. Në këtë klimë depresive zakonisht avancojnë të rastësishmit dhe ata me shpatulla të ngrohta. Nuk duhen më as karriera politike e partiake, as angazhimi i spitakur në administratë, as profili publik dhe as oratoria. Çdokush mund të bëhet politikan i suksesshëm, mjafton që “t’i hedhin vështrimin”.
Na ndodh pastaj si më sallën e Kuvendit të dekadës së fundit ku treçereku nuk flasin kurrë, por vetëm marrin rrogat e dietat duke konsumuar mandatin në anonimat të plotë. S’u dimë emrat, s’u njohim fytyrat, s’u dëgjojmë kurrë zërin, s’ua dimë idetë, nivelin e ekspertizës që sjellin në institucionin më të lartë të vendit dhe as çfarë mendojnë për temat e mëdha që debaton parlamenti. Mund të jenë të dëgjueshëm e kokëulur por jo gjithmonë kjo është diçka e mirë.
Po kështu edhe me disa nga ministrat që kemi parë vitet e fundit. Teknicienë në poste thellësisht politike apo “të parashutuar” deri edhe nga Kosova, që erdhën e u zhdukën s’dihet se ku, pa lënë asnjë gjurmë.
Politika është një angazhim mundësisht afatgjatë që fillon me “gavetën”, e jo një emërim i beftë dhe as një lajm suprizë që të le pa frymë kur ta komunikon kryetari. Në këtë pikë, axhenda për Partinë Socialiste të vitit 2030 mund të jetë duke fituar betejën, por njëherësh mund të jetë duke humbur gradualisht luftën. Nuk është një krizë vetëm e një partie, është në krizë i gjithë sistemi.