Komisioni i Ligjeve ka nisur sot mbledhjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Mbledhja për herë të parë u zhvillua në sallën e seancave plenare për të pasur distancën e duhur dhe praninë fizike për shkak të rëndësisë së diskutimeve të rendit të ditës.
Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja tha se PD nuk ka depozituar asnjë amendament në Kuvend, ndërkohë që është çështje e Këshillit Politik. Ndërkohë që për këtë deputeti Murrizi tha se PD për të depozituar nismat e saj në Kuvend sipas ligjit do të duhet të ketë 20 mijë firma.
Ndërkaq, Murrizi bëri dhe një propozim të ri në mbledhje, atë që numërimi të bëhet nga administrata.
“Ne kërkojmë që numërim të jetë nga administrata politike. Nuk besoj se është e tepërt që Shqipëria të gjejë 1800 numërues. 90 vende numërimi nga 5 tavolina, herë 4 veta bëjnë 1800 veta dhe të vijnë nga arsimi, noterë e gjyqtarë. Si mundet që unë apo kolegë të PS apo PD të pranojnë që rezultati është ai që është hedhur në kuti kur vota do të numërohet nga individë politikë të caktuar nga drejtuesit politik qoftë të qarqeve qoftë nga kryetari i partisë, kur kemi garë mes vetes.
Kemi propozuar edhe pragun. Nuk na tremb pragu. Të vijnë në parlament ata që e kalojnë pragun. Pra prag kombëtar me sistem rajonal nuk mund të ketë. Idealja do të ishte që të ishte pragu natyral për një mandat në qark”, tha Murrizi.
Ndërsa propozimin e PS, Myslim Murrizi e quan si sondazh.
“Varianti i propozuar nga PS është një farë sondazhi. Sondazhet keni mundësi ti kryeni deri në 25 prill. E kam parë me vëmendje variantin tuja. Kjo që keni bërë ju quhet sondazh”. tha Murrizi në Komisionin e Ligjeve.
