Data 8 prill është Dita Ndërkombëtare e Romëve, dhe për presidenti Ilir Meta kjo ditë e gjen këtë komunitet sërish jo të mirëintegruar në shoqërinë shqiptare.
Në një status në Facebook, Meta thotë se mbeten ende sfida reale arsimimi, strehimi, punësimi dhe përkrahja sociale për ta.
“Edhe këtë vit, 8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, e gjen këtë komunitet jo të mirëintegruar në shoqërinë shqiptare. Arsimimi, strehimi, punësimi e përkrahja sociale mbeten ende sfida reale, që romët nuk mund t’i kapërcejnë pa mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë. Me emocion kujtoj takimin e pak javëve më parë në Korçë me disa nëna rome, të cilat më shprehën një mori problemesh, që jam i bindur se i kanë edhe shumë nga romët e Shqipërisë. Kërkesat miniminaliste dhe shqetësimet e tyre, ishin tronditëse për një shoqëri të këtij shekulli. Pa shumë premtime e nisma që mbesin në letër, mos humbet më kohë për të ndryshuar vërtet situatën e rëndë sociale dhe ekonomike të komunitetit rom”, thotë Meta.
