Nga Kryesia e Kuvendit, deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Arbi Agalliu në një konferencë të përbashkët për shtyp, kanë kritikuar paketën anti-krizë të prezantuar një ditë më parë nga qeveria për përballimin e rritjes së çmimeve. Tabaku u shpreh se vendimet e qeverisë për këtë situatë duhet të ishin marrë para një viti. Ajo kërkoi të pezullohen tenderat për investime të panevojshme në kohë krize dhe i gjithë investimi të përqëndrohet për të ndihmuar qytetarët.
“Çmimi i energjisë në tregje dhe bursa është i paparashikueshëm. Nuk duhet të qahemi dhe mburremi sikur vetëm ne kemi liderë në Shqipëri që përballojmë kriza. Besoj se ndodhemi në një situatë kur vendimet duhet të ishin marrë që në shtatorin e vitit të kaluar.
Masa e fundit që merr qeveria është të bëjë tendera dhe koncesione. Të pezullohen pagesat abuzive të koncesioneve dhe të sigurohen kursime. Nuk e kemi luksin të paguajmë. Tenderat duhet të ishin pezulluar dhe çdo gjë duhet të kishte shkuar për ndihmën ndaj qytetarëve.
Sot miratohet një gjysmë paketë që nuk quhet paketë me 50 mln euro që është ndryshim rutinë i buxhetit. Këto janë shqetësime për krizën ekonomike. Këto duhet të jenë tema debate për këdo dhe i thërrasin qytetarët në protestë dhe kolegët në parlament për të ngritur zërin për këto abuzime të qeverisë”.