Pas seancës prej 13 orësh, mëngjesin e sotëm ka rinisur seanca plenare në Kuvend për projekt-buxhetin 2023. Deputeti demokrat Belind Këlliçi, tha në fjalën e tij se kjo paketë fiskale nuk është në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve. Këlliçi parashtroi edhe pesë propozime të tij për paketën fiskale, nga ulja e ngarkesës fiskale, te heqja e akcizës së gazit, të ndërmerren politika për të ndaluar rritjen e inflacionit.
“Të hiqet taksa e qarkullimit për industrinë e ndërtimit, ndihmon që çmimet e apartamenteve të ulen, Veliaj e ka rritur 10 herë taksën e ndërtimit, taksë mbi vlerën e shitjes dhe jo kostos, prandaj është e pamundur blerja e një apartamenti. Meqë është dyfishuar buxheti, pse nuk dyfishohen pensionet, paga dhe pensionet. Çmimet do vazhdojnë të rriten, pensioni juaj do rritet me 1%. Kjo nuk është paketë fiskale, por gjobash. Nuk ndodh në BE që të hartohet një paketë penalitetesh për qytetarët.
Propozimet:
1-Ulni ngarkesën fiskale, çmimet po shkojnë në stratosferë.
2-Mos bëni si gjitholog, dëgjoni ekspertë e fushës dhe qytetarët e këtij vendi.
3-Hiqni TVSH-në për kompanitë që investojnë në energjinë e rinovueshme
4-Hiqni akcizën e gazit.
5-Ndaloni rritjen e pandalshme të inflacionit.
6-Mundësisht mbajeni një premtim dhe çojeni buxhetin e arsimit në 5.5% siç keni premtuar.
11 mln euro do shkojnë për pronarët e inceneratorëve, për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe 1 në Tiranë që i ka pronarët në arrati. SPAK vijon të mos thërrasë kryetarin e bashkisë që me vulën e tij i ka hapur rrugë ndërtimit të kësaj firme”, tha Këlliçi.