Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e ndodhur në Fushë-Krujë, ku një sasi lënde plasëse u konstatua jashtë banesës së Alfred Vogës në fshatin Halili. Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për zonën, pasi ka mbajtur disa poste drejtuese të institucioneve.
Alfred Voga tashmë mban postin e drejtorit të sigurimeve shoqërore, ndërsa më herët ka qenë në krye të ALUIZNI-t, ndërsa pakoja me lëndë plasëse shihet si një mesazh paralajmërues ndaj tij.
Nuk dihet ende sasia që ka pasur pakoja me lëndë plasëse që u gjet pranë banesës së Vogës, ndërsa policia është duke kryer hetime për rastin. Dëshmia e Vogës pritet që të hedhë më shumë dritë rreth ngjarjes, dhe të çojë në identifikimin e autorëve.
