Nga Aranita Brahaj
Para disa vitesh një ngjarje e rëndë në Berat (zona rurale) tronditi mbarë opinionin publik. Një i mitur nën strehë me një grua prisnin të pushonte shiu e të nisnin rrugët përkatëse. I mituri në pak minuta konspekton dhe ekzekuton një krim makabër nekrofilie. Vret gruan për të kryer marrëdhënie seksuale me kufomën. I mituri i lirua nga burgu pasi nuk kishte moshë për përgjegjësi penale.
Kurioze jam çfarë neni ka dosja për ngjarjen e Kavajës. Megjithëse janë mbi 14 vjeç, të miturit e Kavajës janë të favorizuar nga një Kod Penal ku njihen si krim vetëm: Marrëdhënie Seksuale me dhunë ose Marrëdhënie seksuale nën kërcënimin e armës. Jo çdo marrëdhënie seksuale pa pëlqim absolut mund të kualifikohet marrëdhënie më dhunë. Në raste të presionit, shantazhit dhe kërcënimit për publikim fakti (video) konkurron vepra penale e Përndjekjes.
Nga ana tjetër neni 100 i njohur ndryshe si neni i Pedofilisë nuk mund të penalizojë autorë të mitur. Është krijuar për të mbrojtur të miturit pa pjekuri seksuale nga persona madhor. Në shumë doktrina ligjore kusht për kriminalizim të këtij veprimi është diferenca e moshës viktime autor prej të paktën 7 vite. Ashtu siç është shkruar ky nen ne ligjin tonë mund të lërë hapur një kriminalizim të padrejtë juvenil (të të miturve). Por nëse 5 adoleshent dënohen me Nenin e Pedofilisë, ky do ishte një interpretim mizor i gjykatave tona. Një kapitullim i drejtësisë për të Mitur.
Marrëdhënie seksuale nën kërcënim, përndjekje apo shantazh nuk janë drejtpërdrejt të parashikuara në seksionin për krime seksuale. Konkurron edhe neni “Përndjekja” sa kohë që viktima është shantazhuar me një video, po njësoj edhe neni për Pornografinë me Fëmijë, por për secilin rast duhet parë edhe përgjegjësia penale për subjekte 14 deri 16 vjeç dhe statusi “fëmijë” i viktimës 14 vjeç me pjekuri seksuale. Të miturit nën 16 vjeç nuk procedohen për Vepra penale jo Krime. E rëndë do ishte po të procedoheshin per Nenin 100 sa kohe qe jane te mitur dhe me diferenca minimaliste moshe.
Kodi ynë penal vazhdon të jetë një test “tabu” me i shëmtuar se e drejta zakonore që kategorizonte dy sjellje “me nder” dhe “me të nxime faqe”. Mungojnë nene penale për denigrimin e të miturit, nxitjen në për akt seksual pa vullnet, drogimin e të miturit për përfitim seksual etj.
Të na thotë ndonjë nga gazetarët që po analizon kaq thellë rastin, dhe dosjen, për cilin NEN të Kodit Penal është ngritur akuza. Atyre adoleshentëve më shumë se burgu për ti keq ndëshkuar, ju duhet prindi, psikologu dhe terapia për ti riedukuar. Ne si shoqëri na duhet një ligj i mirë dhe dhjetëra profesionist të vertëtë.
Nëse kemi ndonjë prokuror “trim” që mban 5 adoleshent nën arrest për Marrëdhënie Seksuale, duke barazuar pedofiline, dhunën me përndjekjen atëherë jemi në rrugën e gabuar .