Tregu i pasurive të paluajtshme në tërësi ka shënuar rënie të fortë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, kryesisht për shkak të Pandemisë me vetëm 632 prona të shitura nga 825 të gjashtëmujorit të mëparshëm, në një kohë që segmente të tij kanë reaguar në mënyra shumë të ndryshme për sa i përket çmimeve. Sipas sondazhit të sapopublikuar të Bankës së Shqipërisë, ku janë përgjigjur 181 agjenci dhe kompani ndërtimi, numri i agjentëve që kanë realizuar shitje ndaj numrit të përgjithshëm të subjekteve që janë përgjigjur, ra në 39% nga 44% një gjashtëmujor më pare, ndërkohë që numri mesatar i pronave të shitura për subjekt ra në më pak se 4 nga 5 që ishte gjashtë muaj më parë.
Indeksi I Çmimit për Tiranën u rrit me 2.3% ndaj periudhës paraardhëse, dhe me 46.7% ndaj vitit 2013. Çmimet mesatare në qendër të kryeqytetit janë rritur me 16% nga periudha paraardhëse dhe kanë rënë me 22% për zonën jashtë kryeqytetit. Çmimet mesatare kanë mbetur thuajse të pandryshuara në Zonat e Tjera të vendit dhe janë rritur me rreth 2 herë për Zonën e Bregdetit
Rreth 36% të banesave dhe pronave tregtare që janë shitur gjatë periudhës, janë blerë nga jorezidentë. Gjysma e tyre janë rezidentë të Bashkimit Evropian dhe pjesa tjetër janë jashtë tij.
Për gjashtëmujorin e ardhshëm, balanca për ecurinë e pritur të çmimeve është neutrale, por agjentët presin rënie të mëtejshme të numrit të pronave të regjistruara për shitje. Sipas Bankës së Shqipërisë, Agjentët janë pesimistë për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër, por janë ndjeshëm më optimistë për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet) për aktivitetin në tregun e pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin./ Tv Scan