Papa Françesku mirëpriti në një ceremoni të veçantë trupin diplomatik të akredituar në Vatikan. Pjesë e takimit ishte edhe ambasadorja e Shqipërisë Majlinda Frangaj, e cila pati një shtrëngim duarsh me Atin e Shenjtë. Duke shprehur shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e konflikteve në mbarë botën, Papa e përshkroi gjendjen aktuale si një “luftë e tretë botërore ” dhe adresoi hapur krizat specifike gjeopolitike.
“Nuk mund të mos përsëris shqetësimin tim të thellë në lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Izrael dhe Palestinë. Këto mosmarrëveshje vetëm sa rëndohen dhe shkaktojnë vuajtje për të gjithë. Në të vërtetë, sulmet kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve, kryesisht civilë, duke përfshirë shumë të rinj dhe fëmijë, dhe ka shkaktuar një krizë jashtëzakonisht të rëndë humanitare. Shpresoj se komuniteti ndërkombëtar do të ndjekë me vendosmëri zgjidhjen e dy shteteve, një izraelit dhe një palestinez, si dhe një status special të garantuar ndërkombëtarisht për qytetin e Jerusalemit”.
Duke shprehur shqetësimin se konflikti midis Izraelit dhe Gazës mund të zgjerohet në rajon, ai bëri thirrje për një armëpushim në çdo front, përfshirë edhe Libanin. Ati i Shenjtë shprehu një shqetësim edhe rritjen e akteve të antisemitizmit në muajt e fundit ku theksoi se kjo plagë duhet të eliminohet nga shoqëria.