Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancën dëgjimore me drejtuesin e Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selitën, i cili u përball me disa dyshime për pasurinë, gjykime në kushtet e konfliktit të interesit, si dhe me denoncimet e disa kolegëve të tij.

Gjatë seancës dëgjimore, vetë Selita ishte i pranishëm, ndërkohë u bë e ditur se hetimi ishte kryer në të tri kriteret e rivlerësimit kalimtar. Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi, tha se për gjyqtarin pranë KPK-së ishin bërë 17 denoncime, pjesa më e madhe e të cilave nuk kishin indicie për hetime më të thelluara.

Kështu, KPK ka kryer hetim vetëm për 6 denoncime, një prej tyre i bërë nga një grup gjyqtarësh në Gjykatën Administrative të Apelit. Kolegët, të konsideruar nga vetë Selita si anonimë dhe që denoncimin e kishin kryer për interesa të tjera, kanë pretenduar se me vendimin që ka dhënë për çështjen e Bledar Valikajt ndaj Presidentit të Republikës, ka detyruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë të ndërmarrë veprime ekstra ligjore me dhënien e statusit magjistrat dhe më pas emërimin e tij prokuror.

Në lidhje me këto pretendime, KPK i ka kërkuar shpjegime gjyqtarit, i cili ka argumentuar para trupës gjykuese se vendimi i dhënë për çështjen e Valikajt ishte i bazuar në legjislacion dhe nuk ka asnjë shkelje. Gjyqtari shpjegoi se në kushtet kur ndryshimet e ligjit i kishin hequr kompetencat Presidentit të Republikës, nuk mund të jepej një vendim i cili nuk ekzekutohej, kështu iu kalua KLP-së. Kjo e fundit, tha gjyqtari, nuk i ka bërë rekurs këtij vendimi, çka tregon se nuk ka ndonjë shkelje.

KRITERET

Në aspektin profesional, KLD ka dorëzuar pranë Komisionit një raport pozitiv për gjyqtarin, ndërkohë nga disa dosje të shqyrtuara nga KPK janë konstatuar vonesa në gjykimin e çështjeve. Kjo, sipas Selitës, ka ndodhur për shkak të ngarkesës që ka në këtë Gjykatë.

Edhe në kriterin e pastërtisë së figurës, gjyqtari Selita ka rezultuar pa probleme, ku Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport me konstatimin se është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës, pasi nuk janë konstatuar kontakte të papërshtatshme.

Relatorja Brunilda Bekteshi bëri të ditur se Komisioni ka hetuar edhe në lidhje me një denoncim tjetër të disa gjyqtarëve, të cilët kanë qenë anonimë, ku pretendonin se gjyqtari kishte kontakte me një person me precedentë penalë në fushën e narkotikeve. Pas hetimeve të KPK-së, nuk është arritur të provohet ky pretendim, ndërsa vetë gjyqtari duke përsëritur edhe një herë se denoncimi është për qëllime të tjera, tha se nuk ka asnjë kontakt me një person të tillë.

PASURIA

Nga raporti i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë listuar pasuritë e gjyqtarit, ku janë konstatuar disa problematika, për të cilat Selita ka dhënë shpjegime dhe ka dorëzuar prova. Kështu, gjyqtari ka në pronësi një apartament banimi, blerë me kontratë shitblerjeje, në vitin 2015, për 177 mijë e 370 euro si dhe mobilimin në vlerën 21 mijë e 354 euro, me pjesë takuese 50%.

Nga hetimi i KPK-së, ka rezultuar pa probleme kjo pasuri, përveç mospërputhjes së të ardhurave të deklaruara nga subjektet tregtare të bashkëshortes me ato të deklaruara nga Tatimet. Pasuria e dytë që subjekti deklaron në deklaratën veting rezulton shtesë e apartamentit me sipërfaqe totale 29.86 metra katrorë, blerë në vitin 2016 për 46 mijë euro, ku subjekti zotëron 50% të saj, si dhe pasuria garazh, i blerë në vitin 2016 me sipërfaqe totale 12.5 metra katrorë në vlerën 24 mijë euro.

Nga hetimi për këtë pasuri nuk janë konstatuar problematika dhe rezultatet e hetimit të KPK-së përputhen me deklarimin. Më tej, prokurori ka deklaruar edhe një dublex banimi në Gjirin e Lalzit. Sa i takon burimit të krijimit të kësaj pasurie, KPK i ka ngarkuar barrën e provës gjyqtarit për një pagesë kesh të kryer dhe mungesën e burimeve financiare të konstatuara për bashkëshorten.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here