Njerëzit me tension të lartë gjaku që marrin vazhdimisht paracetamol, mund të jenë duke i shtuar vetes rrezikun e atakut në zemër dhe hemoragjisë cerebrale.
Mjekët që lëshojnë recetat, duhet të mendojnë për rreziqet dhe përfitimet për pacientët që e marrin këtë mjekim për disa muaj me radhë, thonë studiuesit e Universitetit të Edinburgut.
Marrja e qetësuesve për dhimbje koke dhe ethe është e sigurt, theksojnë ata, por nevojiten kërkime të zgjeruara për të parë efektet në kohë tek individë të caktuar.
Paracetamoli përdoret gjerësisht në mbarë botën si mjekim i shpejtë për të lehtësuar dhimbjet, megjithatë ai jepet edhe për mbajtjen nën fre të dhimbjeve kronike. Studimi i ri tregon se ata që vuajnë nga presioni i lartë arterial, një gjendje kjo që në Mbretërinë e Bashkuar prek një të tre persona, mund të jenë më të rrezikuar. 110 vullnetarë iu nënshtruan verifikimeve; dy të tretat e tyre merrnin ilaçe për hypertension.
