Kritikat e Marksit ndaj shfrytëzimit ekonomik dhe padrejtësisë janë më aktuale se kurrë?

Kështu thotë Prof. Andreas Arndt në këtë intervistë.

Ai jep mësim në Departamentin e Filozofisë në Universitetin Humboldt në Berlin.

Èshtë kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare Hegel dhe punon pranë Qendrës Kërkimore Schleiermacher të Akademisë së Shkencave të Berlin-Brandenburgut 

Deri disa vjet më parë mendohej se ideja marksiste kishte vdekur, por në fakt duket se kritika e tij ndaj shfrytëzimit ekonomik dhe padrejtësisë janë në kuadër të krizës financiare më aktuale se kurrë. Çfarë mund të mësojmë ne sot ende nga Karl Marksi?

Andreas Arndt: Aktualiteti i Marksit nuk lidhet me atë që besohej për një kohë të gjatë – pra që ai na ofron një libër me receta se si ta ndryshojmë shoqërinë, por me metodën e tij, me analizën kritike.

Marksi nuk analizon ndonjë pjesë çfarëdo biznesit të ekonomisë dhe të biznesit, por shqyrton një mënyrë prodhimi e cila që nga fillimi i saj është globale.  Duke zgjeruar diapazonin e vështrimit të problemeve ai ka në fokus të analizës marrëdhënie, të cilat zakonisht nuk janë parë në atë mënyrë.

Një projekt i madh në veprën e Marksit është përgjigja për pyetjen “se si mund të stabilizohet sistemi? Dhe nëse ai mund të stabilizohet ndonjëherë?” Dhe ai arrin në përfundimin se në një perspektivë afatgjatë gjërat nuk mund të funksionojnë ashtu si janë.

Dhe ajo që po shohim në tregjet financiare sot është sigurisht një pjesë e zhvillimeve sikurse i kishte vrojtuar Marks. Ajo që ai vuri re qe që nevoja për kapital është vazhdimisht në rritje, pra që duhet të ketë në dispozicion gjithnjë e më shumë kapital për të kompensuar pabarazitë mes të sektorëve të prodhimit dhe për ta mbajtur të gjithën në veprim.

Por ky kapital nuk investohet në prodhim, por krijohet në një masë të madhe në mënyrë spekulative.

Fuqia e Marksit është analiza shkencore, por a është ai analist i pastër? Çfarë roli luan morali?

Morali luan rol, sepse ai pyet për kushtet e realizimit të lirisë. Unë mendoj se ai për këtë bën për vete konceptin e Hegelit të historisë së lirisë.

Ai dëshiron që njerëzit të jetojnë dhe të punojnënë të kushte të përshtatshme, pa qenë në pozicione vartësie. Kjo nuk duhet bazuar në një kuptim individual të moralit, por më tepër tek një koncept për të cilin Hegeli – mësuesi i Marksit – ka përdorur termin “frymë  morale e bashkësisë”.

Në kohën kur Marksi shkruante teoritë e tij nuk kishte fanella e këmisha të prodhuara në vendet në zhvillim… Që në Manifestin e tij komunist Marksi bashkë me Friedrich Engelsin, kanë përshkruar tendencat drejt globalizimit.

Dhe ai ka treguar në shumë studime të veçanta që kapitali shkon aty ku  forca punëtore është më e lirë – dhe që përpiqet ta ulë sa më tepër nivelin e pagave. Pra transferimi i prodhimeve në vendet me paga të ulëta mund të kuptohet mjaft mirë me Marksin. Ka shumë që e konsiderojnë Marksin si një fetishist të prodhimit.

Por ai nuk e kishte fjalën vetëm tek prodhimi. Rritja e vazhdueshme e prodhimit ka pasoja për burimet që dikur u vjen fundi, këtë marrëdhënie Marksi e ka parë shumë qartë. Në këtë drejtim ai ka kontribuar edhe për disa çështje diskutimi nga pikëpamja ekologjike.

Marksi është së bashku me Engelsin një prej teoricienëve më me ndikim të socializmit dhe të komunizmit. Sa lidhje ka ajo që është bërë në praktikë nga teoritë e tij (për shembull, nga Stalini) me atë që donte vetë Marksi?

Kjo është një pyetje e vështirë, sepse natyrisht nuk mund të thuash se ato nuk kanë të bëjë fare me njëra-tjetrën.

Disa gjëra janë marrë vërtet gabim, sepse tek Marksi paraqiten në një kontekst krejt të ndryshëm. Unë do të thosha se deficiti i madh i teorisë së Marksit është se nuk ka lënë pas ndonjë teori të politikës dhe të shtetit.

Po ne nuk mund ta fajësojmë për këtë për shkak se një gjë e tillë qe planifikuar – por ai nuk arriti ta realizonte. Në këtë teori do të ishte trajtuar  dhe sqaruar në detaje edhe çështja e rëndësishme e të kuptuarit të së drejtës. Nëse i lexon me kujdes shkrimet e tij, do të vësh re se ai diskuton çështje ligjore – por jo në një kontekst sistematik. Ka shumë që mendojnë se Marksi ishte një nihilist i ligjit.

Ky është sigurisht një pikë ku u mbështet stalinizmi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here