Gazetari Roland Qafoku i ftuar në emisionin ”Java” komentoi zhvillimet politike në vend, fatin e Berishës dhe Metës, gjithashtu edhe qeverisjen nën drejtimin e Edi Ramës!
Ai tha se besonte se PD do performonte dobët në zgjedhjet lokale sepse ishte e papërgatitur duke i hapur kështu Ramës rrugën, me gjithë mangësitë në qeverisje, për një mandat të katërt e madje dhe të pestë.
“Kam bindjen që zgjedhjet lokale do ndikojnë shumë në të ardhmen e politikës shqiptare. Opozita dhe PD po shkon shumë e papërgatitur. Është e përçarë po është dhe e papërgatitur. Me të vërtetë në shtator PD ka premtuar nisjen e protestave, e uragan e rritje temperaturash, e ne po rrinim me rroba plazhi se thamë do jetë shumë nxehtë ndërkohë që kemi veshur xhupat tani. Por PD ka bërë dhe një premtim tjetër. Që në shtator fillojnë primaret. Keni parë gjë ju? Fare.
Pse s’ka filluar organizimi për zgjedhjet lokale? Për ironi të fatit më e përgatitur është PS sesa PD. Ne do shikojmë në zgjedhjet lokale si do jetë përsëri peshorja. Mua nuk më dalin llogaritë që Partia Demokratike të fitojë Bashkinë e Tiranës. PS ështe e konsoliduar në Tiranë në të gjitha strukturat e saj. Në këto zgjedhje lokale PS është totalisht e avantazhuar, të paktën deri tani. Zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme sepse nëse PS fiton kosolidohet për dy vitet që ngelin deri në zgjedhjet e përgjithshme. Mendoj është herët për të parashikuar një mandat të katërt, por nëse PD vazhdon kështu fiton edhe të pestin”, u shpreh ai.