Policia e Fierit ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale dhe njëkohësisht ka zbardhur një tjetër krim.
Një 29-vjeçar i dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga IEVP-ja është arrestuar pasi është kapur me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete.
Gjithashtu janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky shtetas do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse.
“29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, të kryer në Sarandë, më datë 09.04.2023”, njofton policia.
Si rezultat i punës intensive dhe të pandërprerë të kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses megaoperacionin policor të koduar “MISTERI”.
Për shtetasit Albi Mecini dhe Sebastian Lataj, ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .