FK Partizani distancohet nga incidenti i ndodhur ditën e djeshme gjatë takimit Partizani – Flamurtari, i cili absolutisht nuk mund të jetë pjesë e lojës së futbollit dhe “Fair Play”. Politika e qartë dhe e vendosur e klubit përgjatë gjithë këtij sezoni është dhe mbetet që 90 minutat e lojës të dhurojnë një atmosferë të vërtetë sportive, për ta bërë futbollin pjesë të jetës së familjeve shqiptare, sa më larg dhunës dhe provokimeve.
“Sot kemi ndjekur me vëmendje pasqyrimet në media dhe
reagimet në lidhje me këtë incident, ku përgëzojmë grupimet tona zyrtare për
qëndrimin e mbajtur në dënimin e çdo akti që nuk është pjesë e spektaklit të
bukur të futbollit. Dëshirojmë të saktësojmë se autorë të këtij incidenti ishin
disa individë të cilët kurrsesi nuk mund të përgjithësojnë tifozerinë e madhe
të Partizanit, e cila u distancua menjëherë dhe në stadium nga këta individë që
nuk dimë se interesat e cilës palë përfaqësojnë. Gjithësesi nëpermjet pamjeve
filmike të pasqyruara shihet qartë se “personi me aparat fotografik”
ka luajtur një rol aktiv duke provokuar individët që ju afruan, në mungesë
totale të forcave të sigurisë të cilët janë përgjegjesit e vetëm për
mbarëvajtjen e garës dhe mos lejimin e këtyre provokimeve dhe incidenteve.
Në media është pasqyruar se është goditur një zyrtar i klubit të Flamurtarit,
ndërkohë që emri i këtij personi nuk figuron në listën e foto reporterëve të
akredituar për këtë takim. Ndaj mbetemi ende të paqartë se çfarë funksioni ka
në klubin Flamurtari personi i cili u përfshi në këtë incident. Nga ana jonë
saktësojmë se ne si Klub kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm me tifozerinë
tonë, e cila shquhet për mbështetjen ekzemplare që i jep skuadrës si në shtëpi
ashtu dhe jashtë saj”, thuhet në një deklaratë të klubit Partizani.
