Pas Asamblesë Kombëtare të PS të mbledhur një ditë më parë, këtë të mërkurë kryeministri Edi Rama po merret me qeverinë.
Burime nga qeveria kanë thënë për A2CNN se Rama ka mbledhur kabinetin në Pallatin e Brigadave në Tiranë e ky takim është i formës “Retreat”, ku përveç ministrave janë edhe zv.ministrat dhe funksionarë të tjerë të lartë.
Sipas A2CNN, takimi ka nisur prej orës 09:00 të mëngjesit dhe në orën 11.00 përfundoi pjesa e parë e tij. Diskutimi, njësoj si në Asamble, përfshin disa sfera, duke nisur nga rezultati i 30 qershorit, detyrat e qeverisë për sezonin politik që u mbyll dhe çfarë pritet të intensifikohet në shtator e në vijim.
Edhe njëherë më shumë, Rama ka ripërsëritur se mandati i kësaj qeverie mbaron në 2021, dhe se deri atëherë, qeveria duhet të jetë në punë në shërbim të qytetarëve.
“Retreat” është mbledhje që Kryeministri Edi Rama e ka zhvilluar në çdo fund sezoni politik veror me kabinetin e tij.
