Një atentat ka mbetur në tentativë mbrëmjen e të enjtes në kryeqytet ku dy persona të maskuar dhe me pistoletë në dorë kanë ndjekur biznesmenin Andon Dhima kur ky i fundit po shkonte në apartamentin e tij.
Gazetari Artan Hoxha ka publikuar videon kur dy atentatorët kanë ndjekur biznesmenin i cili është futur në pallatin ku jeton, që është edhe në pronësi të tij.
Ai futet në hyrje të pallatit pak sekonda pas vajzës së tij, e cila merr ashensorin bashkë me një shoqe. Sekondat e fundit të pritjes së ashensorit i kanë shpëtuar jetën biznesmenit i cili arrin të ngjitet në një kohë me të bijën. Ai ecën i qetë pa e ditur që dy persona të armatosur po vijnë pas tij.
Të dy personat vijnë të pashqetësuar, lënë çadrën jashtë pallatit dhe futen në godinë, ndërkohë që janë të maskuar. Në duar secili prej tyre mban pistoletë. Njëri prej tyre e bën gati pistoletën gati për ta shkrepur. Por për fat të mirë biznesmeni në atë kohë ngjitet lart në apartamentin e tij.
Ndërkohë ditën e sotme biznesmeni ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, ai falënderon të gjithë ata që i kanë ndenjur pranë në këto momente të vështira dhe gishtin për atentatin e drejton vetëm ndaj Ben Blushit.
“Të nderuar të afërm, miq dhe shokë. Ju falënderoj nga zemra për kurajon dhe mbështetjen në këto momente të vështira për mua dhe familjen time.
Një atentat i dështuar dhe dora e zotit bënë që të jemi bashkë pas një ngjarjeje ende të pabesueshme.
Po e shkruaj publikisht atë që ju kam thënë oficereve të policisë gjyqësore mbi dyshimet e mia.
Unë nuk kam asnjë përplasje dhe konflikt me askënd në këtë botë dhe ata që më njohin e dinë mirë këtë gjë.
Dyshimet e mia janë vetëm tek një emër dhe një person të cilin e kam denoncuar publikisht.
Ai quhet Ben Blushi një nga ish miqtë e mi, që prej kohesh po bën gjithçka për të më grabitur pronat.
Çdo denoncim ndaj tij e kam bërë në organet e drejtësisë dhe ambasadën e SHBA-ve.
Në rast se preket një qime floku e fëmijeve të mi apo sulmohem unë pas këtyre sulmeve unë dyshoj vetëm tek një emër BEN BLUSHI.
Këtë e kam thënë në polici po e them edhe publikisht.
Faleminderit të gjithëve për mbështetjen që më jepni pas kësaj ngjarjeje ku jeta e njeriut duket se kushton vetëm 5 sekonda.
Një falënderim të veçanet për të gjitha mediat që po denoncojnë këtë rast dhe nuk po heshtin.
Me respekt Andoni.” shkruan ai në postimin e tij, teka ka postuar edhe dy video nga vendngjarja.