Kejvina Kthella është futur në mendime të thella pasi është marrë në pyetje në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Në disa postime në rrjetet sociale, brenda një ore, Kejvina ka publikuar dy foto ku shihet njëherë bjonde dhe në foton tjetër me flokë të zeza.
Mesa duket modelja nuk e ndan dot më mendjen, pas chat-imit me Redjan Rrajën, të arrestuarin e vetëm për atentatin ndaj prokurorit Ndoja që e përballi me grupin hetimor.
Modelja dhe ish-velina e “Xing me Ermalin” përfundoi në prokurori ditën e sotme dhe iu sekuestrua telefoni pasi në tabulatet e marra nga celulari i Rrajës, Kthella ishte një ndër personat me të cilën 34-vjeçari me pseudonimin “Dara” komunikonte më shpesh.
Gjithashtu burime nga grupi hetimor e Policia e Shtetit i thanë Dosja.al se modeles 24-vjeçare i është sekuestruar telefoni dhe pritet që nga ‘zbërthimi’ i tij të merren vesh të dhëna të tjera, në lidhje me lëvizjet që mund të ketë kryer 34-vjeçari Rraja ditët para atentatit, në momentin e ngjarjes dhe pas tij.
Mes Kejvinës dhe Redjanit të njohur ndryshe si “Dara” i Krujës ka patur komunikime të shpeshta, por nuk bëhet e qartë marrëdhënia që i lidh bashkë.
Redjan Rraja u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi e më pas drejt Italisë. Ai akuzohet si një nga autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019. Rraja u zbulua nga shenjët e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën Benz ngjyrë gri, që u gjet e padjegur në Ishëm.
Vetë Rraja ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në atentat dhe se ka alibi për vendndodhjen e tij në momentin kur është kryer atentati. Mëgjithatë Gjykata e ka lënë të riun në burg deri në përfundimin e hetimeve për atentatin. Rraja është nipi i deputetit të PS-së, Rrahman Rrajës, i cili është diplomuar për stomatologji dhe prej vitesh jeton në Kanada dhe Shqipëri.